Miliarderi i teknologjisë Elon Musk u ofroi admiruesve të Tesla-s një mundësi për të parë nga afër projektin më të fundit dhe ndoshta më ambicioz të prodhuesit të automjeteve elektrike, gjatë një eventi të zhvilluar të enjten në mbrëmje: Tesla Roadster-in e shumëpritur.
“Na duhet një audiencë për të vërtetuar se kjo nuk është inteligjencë artificiale (AI) apo superinteligjencë (SI)”, i tha Musk publikut gjatë aktivitetit që transmetohej drejtpërdrejt.
“Kështu, ju mund t’u tregoni të tjerëve se e keni parë me sytë tuaj. Sepse atë që do të shihni me sytë tuaj, nuk do ta besoni”, shtoi ai.
Në një demonstrim spektakolar, Roadster, automjeti i vetëm i Tesla-s që drejtohet manualisht, u ngjit në një rampë të lartë e të lakuar, duke lëvizur përmbys përpara se të shkëputej nga fundi i saj, të kryente një rrotullim në ajër dhe të ulej në mënyrë të sigurt në tokë, mes brohoritjeve të publikut.
“Epo, funksionoi”, u shpreh Musk.
Sipas Lars Moravy, zëvendëspresidentit të Tesla-s për inxhinierinë e automjeteve, i cili po prezantonte së bashku me Musk, Roadster përdor një sistem thithjeje me ventilatorë në pjesën e poshtme të automjetit.
Ai shpjegoi se sistemi mund të gjenerojë një forcë thithëse deri në 2G, duke i mundësuar automjetit të lëvizë përmbys.
Musk shtoi se Roadster është i pajisur me “motorë shtytës për kontrollin e lartësisë dhe motorë kryesorë shtytës në pjesën e pasme, kështu që praktikisht mund të fluturojë si një raketë”.
“Mund të kryejë rrotullime dhe manovra akrobatike të çmendura”, deklaroi ai, duke bërë shaka se makina “nuk është domosdoshmërisht e projektuar për të garantuar sigurinë maksimale”.
Një demonstrim i dytë e vuri në provë këtë pretendim. Automjeti iu afrua një radhe makinash të tjera Tesla, përpara se të ngrihej në ajër dhe të kryente një manovër akrobatike të njohur si “kickflip”, duke kaluar sipër tyre.
Në një tjetër demonstrim, Roadster tregoi aftësinë për të përshpejtuar nga 0 në 60 milje në orë (rreth 96.6 km/orë) në më pak se një sekondë.
Sipas faqes zyrtare të Tesla-s, kompania tashmë ka nisur pranimin e rezervimeve për automjetin, i cili do të ofrohet në tri variante: Performance, Thrust dhe Rocket.
Versioni Rocket do të jetë i disponueshëm vetëm me ftesë.
Sipas Tesla-s, Roadster ka një autonomi prej më shumë se 300 miljesh (rreth 483 kilometra) me një karikim dhe mund të arrijë një shpejtësi maksimale mbi 230 milje në orë (rreth 370 km/orë) në versionin Rocket./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
