Banka e Shqipërisë dhe Banka Evropiane e Investimeve (BEI) po thellojnë bashkëpunimin për zhvillimin e financës së gjelbër në Shqipëri, me fokus te orientimi i investimeve drejt aktiviteteve të qëndrueshme dhe përafrimi me standardet e Bashkimit Evropian.
Në takimin e zhvilluar më 14 tetor, Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, dhe Zëvendëspresidenti i BEI-t, Robert de Groot, diskutuan për zgjerimin e bashkëpunimit në financimin e ekonomisë së gjelbër dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit financiar.
Një nga instrumentet kryesore në këtë drejtim është Taksonomia Kombëtare e Gjelbër, drafti përfundimtar i së cilës është hartuar me mbështetjen e asistencës teknike të BEI-t.
Taksonomia synon të përcaktojë kriteret për identifikimin e aktiviteteve ekonomike të qëndrueshme, duke ndihmuar bankat dhe investitorët të orientojnë kapitalin drejt projekteve me ndikim pozitiv në mjedis. Ajo pritet të rrisë transparencën në financimin e gjelbër dhe të lehtësojë përafrimin e sektorit financiar shqiptar me praktikat evropiane.
Gjatë takimit, Ahmetaj prezantoi ecurinë dhe perspektivën e ekonomisë shqiptare, ndërsa palët diskutuan për integrimin e rreziqeve klimatike dhe konsideratave mjedisore në sistemin financiar.
De Groot vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë për tranzicionin e gjelbër, duke theksuar se BEI synon të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit dhe në përgatitjen e tij për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
