Shqipëria po përgatit një kuadër të ri ligjor për shkëmbimin automatik të informacionit mbi llogaritë financiare me vendet e Bashkimit Evropian, duke përcaktuar detyrime për institucionet financiare dhe mbajtësit e llogarive, si dhe gjoba deri në 1 milion lekë për deklarime të rreme ose pengim të kontrolleve. Sistemi i ri parashikohet të kushtojë 40 milionë lekë nga buxheti i shtetit, ndërsa zbatimi i tij do të nisë nga data e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Projektligji i hartuar nga Ministria e Financave, në kuadër të detyrimeve për Kapitullin 16, “Tatimet”, synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me Direktivën Evropiane DAC 2, për të mundësuar shkëmbimin sistematik të të dhënave financiare ndërmjet administratave tatimore.
Nëpërmjet këtij mekanizmi, autoritetet tatimore do të kenë mundësi të marrin informacion për llogaritë financiare të raportueshme të personave dhe subjekteve që kanë rezidencë tatimore në juridiksione të tjera. Qëllimi është identifikimi i të ardhurave dhe aktiveve financiare që mund të mos jenë deklaruar, si dhe kufizimi i evazionit dhe shmangies tatimore.
Shkëmbimi i informacionit me juridiksionet e huaja nuk është një praktikë që nis për herë të parë. Shqipëria ka aktualisht një kuadër ligjor të miratuar në vitin 2020, bazuar në Standardin e Përbashkët të Raportimit (CRS) të OECD-së. Ndryshimi kryesor që sjell projektligji është përafrimi me regjimin e Bashkimit Evropian, duke ruajtur njëkohësisht shkëmbimin e informacionit me juridiksionet e tjera sipas marrëveshjeve ndërkombëtare ekzistuese.
Bankat do të raportojnë çdo vit deri më 30 maj
Sipas projektligjit, çdo institucion financiar raportues në Shqipëri do të ketë detyrimin t’i dorëzojë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve informacionin për llogaritë e raportueshme, jo më vonë se data 30 maj e vitit pasardhës.
Raportimi do të kryhet elektronikisht, në një format të standardizuar. Edhe në rastet kur një institucion financiar nuk identifikon asnjë llogari të raportueshme gjatë vitit, ai do të duhet të paraqesë një deklaratë që konfirmon këtë fakt.
Detyrimi nuk kufizohet vetëm te bankat, por përfshin institucionet financiare raportuese, sipas përcaktimeve ligjore, përfshirë institucionet depozituese, ato të kujdestarisë së aktiveve financiare, njësitë e investimit dhe kategori të caktuara të shoqërive të sigurimit.
Për llogaritë e reja individuale, institucionet financiare do të duhet të marrin vetëdeklarime për përcaktimin e rezidencës tatimore të klientit. Dokumentacioni duhet të përmbajë, ndër të tjera, emrin, adresën, datën e lindjes, vendin ose vendet e rezidencës tatimore dhe numrin e identifikimit tatimor, kur kërkohet.
Për llogaritë ekzistuese, verifikimi do të kryhet duke përdorur informacionin që disponojnë institucionet financiare, ndërsa për llogaritë me vlerë të madhe parashikohen procedura më të zgjeruara kontrolli.
Institucionet do të duhet të identifikojnë edhe personat që ushtrojnë kontroll mbi subjekte të caktuara juridike, në mënyrë që raportimi të mos kufizohet vetëm tek emri i shoqërisë që zotëron llogarinë.
Informacioni i mbledhur nga institucionet financiare do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila do ta shkëmbejë atë me autoritetet përkatëse të vendeve të BE-së jo më vonë se data 30 shtator e vitit pasardhës, për raportimet që i përkasin një viti kalendarik.
Gjoba deri në 1 milion lekë edhe për mbajtësit e llogarive
Një pjesë e rëndësishme e projektligjit lidhet me sanksionet për mosrespektimin e detyrimeve të raportimit dhe dhënies së informacionit.
Për institucionet financiare që nuk dorëzojnë informacionin brenda afatit, parashikohen gjoba nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë. Raportimi i informacionit të paplotë, të pasaktë ose të pavërtetë, si dhe moskorrigjimi i tij brenda afatit të përcaktuar nga Tatimet, dënohet me gjobë nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë.
Moszbatimi i procedurave të kërkuara për identifikimin dhe dokumentimin e llogarive të raportueshme do të dënohet me gjobë nga 150 mijë deri në 750 mijë lekë.
Por përgjegjësia nuk kufizohet vetëm tek institucionet financiare.
Edhe mbajtësit e llogarive, personat kontrollues apo personat e tjerë përgjegjës që nuk japin informacionin ose dokumentacionin e kërkuar mund të gjobiten me 300 mijë deri në 700 mijë lekë.
Ndërkohë, për nënshkrimin, paraqitjen ose konfirmimin e një vetëdeklarimi të rremë, projektligji parashikon gjobë nga 500 mijë deri në 1 milion lekë.
E njëjta masë gjobe, nga 500 mijë deri në 1 milion lekë, parashikohet edhe për pengimin, refuzimin ose mosbashkëpunimin gjatë kontrolleve të administratës tatimore.
Gjobat do të vendosen nga titullari i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe kundër tyre mund të bëhet ankim në gjykatën administrative kompetente.
Projektligji përcakton gjithashtu se institucionet financiare duhet të ruajnë dokumentacionin dhe evidencat përkatëse për të paktën pesë vjet pas përfundimit të periudhës brenda së cilës duhet të raportohet informacioni.
40 milionë lekë për sistemin teknologjik
Zbatimi i kuadrit të ri ligjor do të kërkojë investime për zhvillimin e infrastrukturës teknologjike që do të mundësojë shkëmbimin elektronik të informacionit tatimor me vendet anëtare të BE-së.
Sipas relacionit shoqërues, efekti financiar vlerësohet në 40 milionë lekë, shumë që do të përballohet nga buxheti i shtetit dhe do të planifikohet sipas legjislacionit buxhetor në fuqi.
Për shkëmbimin e informacionit me vendet e BE-së parashikohet përdorimi i rrjetit të përbashkët të komunikimit CCN dhe i formatit standard evropian, ndërsa për juridiksionet e tjera do të vijojnë të përdoren mekanizmat e përcaktuar nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe CRS.
Projektligji përmban gjithashtu dispozita për konfidencialitetin dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Institucionet financiare do të kenë detyrimin të informojnë individët për mbledhjen, përpunimin dhe transmetimin e informacionit të tyre, përpara raportimit.
Zbatimi vetëm pas anëtarësimit në BE
Megjithëse projektligji parashikon hyrjen në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, efektet e tij do të fillojnë nga data e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me Traktatin e Anëtarësimit. /ekofin.al
