Nga Prof. Asoc. Dr. Etlon Peppo
Kohët e fundit, media të ndryshme ndërkombëtare raportuan se kryeministrja e Republikës së Italisë, Giorgia Meloni, ka aplikuar pranë Zyrës së Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Evropian (“EUIPO”) për regjistrimin e një marke tregtare. Veçantia e këtij lajmi dhe interesi që ai ka ngjallur nuk lidhen thjesht me paraqitjen e një aplikimi për markë tregtare, por, mbi të gjitha, me llojin e markës së aplikuar.
Giorgia Meloni ka paraqitur një aplikim për regjistrimin e një marke tingull, të përbërë nga një sekuencë audioje katërsekondëshe me frazën “Io sono Giorgia Meloni”.
Në aspektin historik, kjo frazë lidhet me një prej deklaratave politike të bëra nga kryeministrja aktuale e Italisë disa kohë më parë, gjatë një tubimi politik të partisë së saj. Që prej asaj kohe, shprehja u bë virale dhe u përdor, por edhe u keqpërdor, në forma të ndryshme, kryesisht në mjedisin digjital.
Po çfarë janë markat tingull dhe pse kryeministrja e Italisë zgjodhi të paraqesë këtë aplikim të veçantë pranë EUIPO-s?
Markat tingull janë marka tregtare që përbëhen ekskluzivisht nga një tingull ose një kombinim tingujsh, përmes të cilëve konsumatorët identifikojnë origjinën tregtare të mallrave dhe/ose shërbimeve përkatëse. E shpjeguar në mënyrë të thjeshtë, markat tingull janë “shenja apo logo që dëgjohen”.
Markat që përbëhen nga një kombinim tingujsh me elemente të tjera, si elementet e ndërthur me lëvizje, nuk klasifikohen si marka tingull. Për shembull, një markë që ndërthur imazhin me tingullin klasifikohet si markë multimediale dhe jo si një markë tingull.
Një markë tingull mund të përbëhet nga një melodi e shkurtër ose një tingull reklamues, një tingull karakteristik dhe dallues, një frazë e folur ose e kënduar, apo një kombinim zëri dhe muzike.
Sipas legjislacionit shqiptar në fuqi për markat tregtare, ligjit nr. 52/2025 “Për markat tregtare”, marka tregtare mund të jetë çdo shenjë, veçanërisht fjalët, duke përfshirë emrat personalë, figurat, shkronjat, numrat, ngjyrat, format e mallrave dhe paketimet e tyre dhe tingujt, me kusht që këto shenja:
- a) të mundësojnë dallimin e mallrave ose shërbimeve të një personi fizik apo juridik nga ato të një personi tjetër fizik apo juridik;
- b) të përfaqësohen në regjistrin e DPPI-së në mënyrë të tillë që të mundësojnë autoritetet kompetente dhe publikun që të përcaktojnë qartë dhe saktë objektin e mbrojtjes që i jepet pronarit të saj.
Ndërkohë, Rregullorja për Markat Tregtare përcakton llojet e markave tregtare, duke përfshirë markat fjalë, markat figurë, markat formë, markat ngjyrë, markat e pozicionit, markat me elemente përsëritëse dhe lloje të tjera markash. Në këtë kategori të fundit, për të cilën parashikohet një dispozitë e veçantë, përfshihen edhe markat tingull.
Një markë tingull përfaqësohet nëpërmjet paraqitjes së një file audio, për shembull në formatin MP3, ose nëpërmjet një paraqitjeje të saktë të tingullit në nota muzikore. Për këtë lloj marke, përshkrimi nuk është i nevojshëm, për sa kohë që vetë përfaqësimi i saj përcakton qartë objektin e regjistrimit.
Ashtu si markat tradicionale, edhe markat tingull i nënshtrohen ekzaminimit për shkaqe absolute refuzimi. Në këtë kuadër, vlerësohet, ndër të tjera, nëse shenja ka karakter të mjaftueshëm dallues për t’u regjistruar si markë tregtare.
Megjithatë, është e rëndësishme të kemi parasysh se jo çdo tingull mund të regjistrohet si markë. Ai duhet të ketë karakter të mjaftueshëm dallues për të treguar origjinën tregtare të mallrave dhe/ose shërbimeve përkatëse dhe për t’u perceptuar si i tillë nga konsumatori. Një tingull, një zhurmë ose një melodi e zakonshme mund të mos përmbushë këtë kërkesë, nëse publiku përkatës nuk e percepton si tregues të origjinës tregtare.
Në Bashkimin Evropian janë regjistruar me sukses një sërë markash tingull. Disa shembuj përfshijnë thirrjen “Barça”, si një tingull dallues i lidhur me klubin e futbollit të Barcelonës; “Ici, c’est Paris”, si një markë tingull e regjistruar nga klubi i futbollit të Parisit, e cila përmban një kor identifikues të tifozëve; melodinë karakteristike, si “Looney Tunes” të Warner Bros. në hyrje të filmave; sekuenca notash muzikore të luajtura në piano dhe melodi të ndryshme, si edhe marka tingull të përfaqësuara nëpërmjet paraqitjes së notave muzikore, si në shembujt e mëposhtëm:
apo – sekuenca notash muzikore me tone të ndryshme dhe interval kuartesh të caktuara, të cilat krijojnë një melodi dalluese.
Në Shqipëri, shoqëria Vodafone ka regjistruar me sukses një markë tingull, të përbërë nga një melodi e saj, në klasat 09, 35, 38 dhe 42 të Klasifikimit të Nicës. Në këtë rast, aplikanti paraqiti një file audio në formatin MP3, si dhe paraqitjen grafike përkatëse të tingullit, duke përmbushur kërkesat formale për regjistrimin e markës.
Regjistrimi i kësaj marke pranë DPPI-së përbën një histori suksesi dhe evidenton qasjen moderne e bashkëkohore të DPPI-së, në përputhje me zhvillimet në zyrat homologe të Bashkimit Evropian. Ai pasqyron gjithashtu zbatimin e legjislacionit në funksion të formave të reja të identifikimit tregtar dhe të mënyrës se si konsumatorët i perceptojnë ato.
Në rastin e markës tingull “Io sono Giorgia Meloni”, meritojnë vëmendje edhe arsyet që e kanë shtyrë kryeministren e Italisë të paraqesë këtë aplikim pranë EUIPO-s. Sipas raportimeve mediatike, aplikimi është paraqitur më 5 Tetor 2026 dhe kërkohet mbrojtja e markës për listën e mëposhtme të mallrave dhe shërbimeve në klasat 09, 41 dhe 45, sipas Klasifikimit të Nicës:
Klasa 09: Përmbajtje mediatike të shkarkueshme dhe të regjistruara; skedarë multimedialë të shkarkueshëm; publikime elektronike të shkarkueshme; publikime elektronike të shkarkueshme në formën e revistave; publikime të shkarkueshme; regjistrime multimediale.
Klasa 41: Veprimtari kulturore; zhvillim i konventave; konsulencë në lidhje me trajnimin për aftësi profesionale; organizim i seminareve; shërbime argëtimi; mësimdhënie; ofrim i veprimtarive çlodhëse; trajnim; ofrim në internet i publikimeve elektronike të pashkarkueshme; ofrim i publikimeve elektronike; ofrim i publikimeve në internet; organizim i veprimtarive kulturore dhe artistike; organizim i veprimtarive për qëllime kulturore; organizim i seminareve dhe konferencave; organizim i punëtorive dhe seminareve; organizim dhe zhvillim i veprimtarive të drejtpërdrejta argëtuese; organizim dhe zhvillim i kongreseve; organizim dhe zhvillim i kolokuiumeve; organizim dhe zhvillim i seminareve; organizim dhe zhvillim i konventave; botim i dokumenteve; botim i broshurave; botim i librave; botim i revistave; botim i prospekteve; botim i gazetave; botim i recensave; botim i revistave elektronike; botim i revistave shkencore; botim i materialeve të shtypura; botim i fletëpalosjeve; botim multimedial i gazetave; botim multimedial i librave; botim multimedial i revistave; botim multimedial i revistave shkencore; botim i teksteve, përveç teksteve publicitare; botim elektronik me anë të kompjuterit; zhvillim i veprimtarive kulturore; zhvillim i veprimtarive edukative; zhvillim i veprimtarive të drejtpërdrejta argëtuese; zhvillim i seminareve mësimore; shërbime konsulence dhe informacioni në lidhje me përgatitjen, zhvillimin dhe organizimin e simpoziumeve; shërbime botimi.
Klasa 45: Organizim i takimeve politike; kërkim juridik në fushën e politikave publike.
Analiza e listës së mallrave dhe shërbimeve për të cilat është paraqitur aplikimi, së bashku me zgjedhjen e një marke tingull, sugjeron një synim për të mbrojtur përdorimin e kësaj sekuence zanore në mjedisin digjital.
Sipas raportimeve mediatike, nisma lidhet me përpjekjet për të luftuar keqpërdorimin e zërit të saj përmes përmbajtjeve të manipuluara, të njohura si deepfake, dhe teknologjive të inteligjencës artificiale.
Mbrojtja si markë tregtare, megjithatë, vlerësohet gjithnjë në raport me shenjën e paraqitur dhe mallrat e shërbimet përkatëse. Ajo nuk përbën automatikisht mbrojtje të përgjithshme të zërit ndaj çdo forme keqpërdorimi. Gjithësesi, duke qenë se tingujt po përdoren gjithnjë e më shumë në tregti si pjesë e strategjive të ndërtimit dhe promovimit të markave, konsumatorët kanë gjithashtu më shumë gjasa t’i perceptojnë ata si tregues të origjinës tregtare.
Në këtë kontekst, rëndësi të veçantë ka vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, i datës 27 nëntor 2003, në çështjen C-283/01, Shield Mark, EU:C:2003:641.
Në lidhje me paraqitjen e saktë të një tingulli në nota muzikore, Gjykata përcaktoi se një pentagram i ndarë në masa muzikore, i cili përmban, në veçanti, një çelës muzikor, nota dhe pushime, format e të cilave tregojnë vlerën e tyre relative, si dhe, kur është e nevojshme, shenja alterimi, mund të përbëjë një paraqitje besnike të sekuencës së tingujve që formojnë melodinë për të cilën kërkohet regjistrimi. Këto elemente, të marra së bashku, përcaktojnë lartësinë dhe kohëzgjatjen e tingujve. Një mënyrë e tillë e paraqitjes grafike përmbush kërkesat e përcaktuara nga jurisprudenca e Gjykatës: paraqitja duhet të jetë e qartë, e saktë, e plotë në vetvete, lehtësisht e aksesueshme, e kuptueshme, e qëndrueshme dhe objektive. Vendimi u dha në kuadrin e kërkesës së atëhershme për paraqitje grafike të markës.
Rasti i markës tingull të aplikuar nga Giorgia Meloni, i raportuar gjerësisht nga mediat dhe që përfshin një figurë publike kaq të njohur në nivel global, e cila ushtron edhe një funksion të lartë shtetëror, nxjerr në pah rëndësinë e markave tregtare dhe rolin që ato mund të luajnë në mjedisin e sotëm digjital. Ky rast ilustron njëkohësisht interesin në rritje për markat tingull dhe përdorimin e tyre si mënyrë e identifikimit tregtar përballë sfidave që sjell zhvillimi i teknologjive të reja në botën e sotme digjitale dhe zhvillimeve galopante të inteligjencës artificiale. Regjistrimi i markave tingull u mundëson mbajtësve të tyre të mbrojnë elementet zanore dalluese të identitetit tregtar dhe të kundërshtojnë përdorimet e paautorizuara që cenojnë të drejtat mbi markën. Në një mjedis online ku komunikimi mbështetet gjithnjë e më shumë te përmbajtjet audio dhe audiovizuale, këto marka ndihmojnë konsumatorët të njohin dhe të dallojnë origjinën tregtare të mallrave dhe shërbimeve.
Në përfundim, interes të veçantë paraqet edhe procedura e ekzaminimit të markës tingull “Io sono Giorgia Meloni”, pasi, siç u shpjegua më sipër, karakteri dallues përbën një kusht thelbësor për regjistrimin e saj. Pranueshmëria e një marke tingull, ashtu si në rastin e markave fjalë ose llojeve të tjera të markave tregtare, varet nga fakti nëse tingulli ka karakter dallues në vetvete, pra nëse konsumatori mesatar e percepton atë si një tingull që mbetet në kujtesë dhe që shërben për të treguar se mallrat ose shërbimet lidhen ekskluzivisht me një ndërmarrje të caktuar.
Megjithatë, perceptimi i publikut përkatës nuk është domosdoshmërisht i njëjtë në rastin e një shenje që përbëhet vetëm nga një tingull dhe në rastin e një marke fjalë ose figurë që nuk ka lidhje me pamjen e mallrave që identifikon. Ndërsa publiku është mësuar t’i perceptojë menjëherë markat fjalë ose figurë si shenja që identifikojnë origjinën tregtare të mallrave, kjo nuk ndodh domosdoshmërisht kur shenja përbëhet vetëm nga një tingull.
Në këtë kuadër, rëndësi ka nëse tingulli ndryshon ndjeshëm nga normat ose praktikat e zakonshme të sektorit dhe, për rrjedhojë, përmbush funksionin thelbësor të tregimit të origjinës tregtare. Për markën tingull “Io sono Giorgia Meloni”, çështja që shtrohet gjatë ekzaminimit është nëse publiku përkatës do ta perceptojë sekuencën zanore si tregues të origjinës tregtare të mallrave dhe shërbimeve për të cilat kërkohet mbrojtja.
Në lidhje me këtë aplikim interesant të paraqitur nga kryeministrja e Italisë, mbetet të shihet nëse fraza “Io sono Giorgia Meloni”, e përdorur prej saj në tubime politike dhe që ka fituar njohje të gjerë në komunikimin politik, do të pranohet për regjistrim edhe si markë tregtare.
