Drejtori ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary, deklaroi se nuk pret mungesa të karburantit për avionët në Evropë gjatë këtij dimri apo deri në verën e vitit 2027, pavarësisht ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit të shkaktuara nga lufta në Iran.
“Nuk mendoj se ka ndonjë pikëpyetje lidhur me disponueshmërinë e karburantit për avionët në Evropë këtë dimër apo, në fakt, edhe gjatë verës së ardhshme, përveç rastit kur ndodh ndonjë ngjarje e paparashikuar”, tha O’Leary gjatë një konference për shtyp të organizuar nga Airlines for Europe (A4E) në Bruksel.
Deklaratat e tij japin sinjale qetësuese për furnizimin, por kompanitë ajrore dhe pasagjerët vazhdojnë të përballen me kosto të larta të karburantit.
Sipas kompanisë së analizës së tregjeve të energjisë Kpler, rreth 900 mijë tonë karburant për avionët nga Azia ishin planifikuar të mbërrinin gjatë kësaj periudhe.
Këto dërgesa mund të ndihmojnë në shmangien e mungesave, por nuk pritet të sjellin ndonjë lehtësim të konsiderueshëm të çmimeve.
“Karburanti për avionët ka të ngjarë të vazhdojë të tregtohet me çmime më të larta, veçanërisht pasi është i lidhur ngushtë me tregun e naftës diesel, ku oferta po bëhet gjithnjë e më e kufizuar dhe çmimet së fundmi kanë arritur nivele rekord”, tha për Euronews më 23 shtator George Shaw, analist i lartë i Kpler për tregjet e produkteve të distiluara të naftës.
Komisioni Evropian deklaroi gjithashtu më 8 shtator se rritja e prodhimit të rafinerive në BE dhe importet nga burime alternative po mbulonin kërkesën evropiane për karburant aviacioni, megjithëse ndërprerje të mëtejshme në Lindjen e Mesme mund të kufizonin furnizimet.
Ndërkohë, vendet e G7-ës ranë dakord të premten e kaluar të përshpejtojnë hedhjen në treg të 100 milionë fuçive naftë nga rezervat strategjike, me qëllim lehtësimin e presionit mbi tregjet e energjisë.
Të mërkurën, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) sqaroi se këto fuçi ishin pjesë e sasisë së rezervave emergjente, hedhja në treg e të cilave ishte miratuar në mars.
Vendet anëtare mbështetën përshpejtimin e hedhjes në treg të sasive të mbetura dhe dhënien e përparësisë naftës diesel, për shkak të furnizimeve të kufizuara. Megjithatë, njoftimi nuk parashikonte shprehimisht hedhjen në treg të rezervave të karburantit për avionët.
Çmimet e karburantit për avionët janë dyfishuar
Çmimet e karburantit për avionët janë rritur më shpejt se ato të naftës bruto që prej fillimit të luftës, pasi sulmet ndaj rafinerive kanë ndërprerë prodhimin dhe kanë zgjeruar diferencën midis kostos së naftës bruto dhe çmimit të karburantit të përpunuar.
Sipas të dhënave më të fundit të monitorimit të çmimeve të karburantit nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), Evropa dhe Komonuelthi i Shteteve të Pavarura (CIS), ku përfshihen disa ish-republika sovjetike, regjistruan çmimin mesatar më të lartë të karburantit për avionët ndër të gjitha rajonet.
Çmimi mesatar arriti në 195.95 dollarë për fuçi gjatë javës që përfundoi më 2 tetor, më shumë se dyfishi i nivelit të një viti më parë.
Megjithëse çmimet ranë me 1% gjatë asaj jave, diferenca globale e çmimit të karburantit për avionët ndaj naftës bruto mbeti rreth tri herë më e lartë se një vit më parë.
“Historikisht, karburanti për avionët ka qenë rreth 10% deri në 15% më i shtrenjtë se nafta bruto Brent. Aktualisht, ai po tregtohet me një çmim rreth 50% më të lartë”, tha O’Leary.
Ai parashikon që kjo diferencë e lartë çmimi të vazhdojë edhe për 12 deri në 18 muaj të tjerë, duke përmendur sulmet ndaj rafinerive ruse dhe atyre në Lindjen e Mesme, si dhe kufizimet në disponueshmërinë e anijeve cisternë dhe kapacitetet e rafinimit.
Muajin e kaluar, Ryanair njoftoi se do të reduktonte programin e fluturimeve gjatë dimrit për të kufizuar ekspozimin ndaj kostove më të larta të karburantit.
Si rezultat, kompania uli objektivin e saj për numrin e pasagjerëve gjatë gjithë vitit, nga 216 milionë në 214 milionë pasagjerë, një reduktim prej 2 milionë pasagjerësh./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
