Nga Elvin Meka
Ditët e fundit, disa prej prej grupeve të interesit të biznesit shqiptar, siç është ai i Dhomës së Tregtisë & Industrisë dhe 7 shoqatave të biznesit, ka parashtruar disa propozime që lidhen me ndërhyrjet në paketën fiskale, që bashkëshoqëron projektbuxhetin e shtetit për vitin 2027. Ndër propozimet e shumta, ai që bie në sy dhe ndoshta më interesanti, është ai i “moslejimit të shitjeve dhe blerjeve me para të huaja” në tregun e brendshëm.
Në krye të herës duhet thënë se ky është propozimi ndoshta më bazamental i mundshëm, që lidhet me qëndrueshmërinë e ecurisë afatgjatë të biznesit në Shqipëri, por dhe me mbrojtjen më të mirë të interesit të konsumatorit shqiptar, brenda ekonomisë kombëtare në Shqipëri. Po pavarësisht “guximit” për të propozuar një masë të tillë, dhe probabililtetit tejet të ulët të përfilljes së një propozimi të tillë nga qeveria, duhet thënë se ky është një propozim tmerrësisht i vonuar e fatkeqësisht jo i mbështetur në interesin e qytetarit apo konsumatorit shqiptar, por thjesht në interesin e pastër dhe të vetëm të biznesit dhe sipërmarrjes shqiptare, kryesisht në sektorin e shërbimeve, mikpritjes dhe eksportit.
Konkretisht, një propozim i tillë vjen natyrshëm pas zhvlerësimit monumental dhe të pandalshëm të euros ndaj lekut në tregun e brendshëm valutor, veçanërisht gjatë periudhës 2021-2026 (mbi 25%). Ky zhvlerësim ka bërë që biznesi i angazhuar në këto sektorë të përjetojë rënie dramatike të të ardhurave të përllogaritura në lek, monedhë në të cilën duhet të paguajnë dhe fuqinë punëtore, taksat dhe shërbimet publike, si dhe çdo lloj koste që gjenerohet në Lek. Për sa kohë që kursi EURO-LEK ishte në favor të Euros dhe i qëndrueshëm, as që mund të mendohej që biznesi shqiptar të mund të artikulonte një kërkesë të tillë, që thelbësisht do të mbronte interesat e konsumatorit shqiptar. Kjo pasi biznesi shqiptar kurdoherë e ka transferuar lehtësisht çdo lloj rreziku te konsumatori, pra edhe rrezikun e kursit të këmbimit. Fakti është që, pas 1992-it, ishte po ky BIZNES SHQIPTAR që dilte partizan i flaktë i kryerjes së transaksioneve në valutë të huaj, pasi nuk donte të mbante, për asnjë lloj arsye, asnjë cent të rrezikut të kursit të këmbimit, por e transferonte 100% te QYTETARI, e kjo sepse Euro dhe Dollari kanë qenë gjithnjë në epërsi konvertimi ndaj Lekut, të paktën deir në vitin 2016!
Ndërkohë, të gjitha qeveritë shqiptare të pas 1992-shit, pa asnjë përjashtim, kanë qenë në mbështetje të sipërmarrjes, për të hedhur rrezikun e kursit të këmbimit mbi shpatullat e konsumatorit shqiptar, duke lejuar deliberativisht përdorimin e valutave të huaja (fillimisht dollarit amerikan e më pas të Euros), përkrah Lekut në transaksionet tregtare dhe kredidhënie masive për ekonominë. Sigurisht, argumenti thelbësor në 1992-shin ishte që, meqë kishim një monedhë shumë të dobët dhe inflacion të lartë të lejojmë përdorimin e monedhave të huaja në Shqipëri, që qytetarët “të ruajnë” vlerën e parave të tyre. Ndërkohë, asnjë vend tjetër në Ballkan, përveç Shqipërisë, nuk e uli dinjitetin dhe seriozitetin e tij kombëtar dhe ekonomik, që të lejonte përdorimin e monedhave të huaja në qarkullimin kombëtar dhe kursimet vendase, paçka nivelit stratosferik të inflacionit (kujtoni inflacionin galaktik të Jugosllavisë dhe njësive federale që u shkëputen prej saj, por që asnjë vend pa përpjashtim, përveç Malit të Zi dhe Kosovës i raste përjashtimore objektive, nuk përdori dhe lejoi përdorim masiv të monedhës së huaj në ekonominë kombëtare). Në Shqipëri, monedha e huaj fitoi qytetarinë për të “bërë ligjin” në transkasionet me vlerë të madhe (pasuri të paluajtshme, automobila, etj.) dhe gjatë viteve të fundit, edhe për të blerë një paketë cigare në çdo lloj minimarketi të territorit të Shqipërisë.
E tani që situata e kursit të këmbimit ka vite që është përmbysur në disfavor të tregtarëve, tash duan që këtë rrezik ta mbajë po prapë QYTETARI, pasi ata, si përherë dhe si rregull, nuk duan të mbajnë asnjë rrezik vet, por ta transferojnë te konsumatori, siç transferojnë jo vetëm çdo rrezik por edhe çdo lloj abuzivizmi me çmimet. Pra mirë që historikisht kanë qenë dhe janë abuzivë në vendosjen arbitrare të çmimeve dhe që aplikojnë norma fitimi që shkojnë jo në përqindje por në herë të kostos, por nuk duan të mbajnë dhe menaxhojnë për asnjë lloj arsye asnjë, po asnjë, rrezik nga biznesi që bëjnë!
Teknikisht, logjikisht, ekonomikisht dhe seriozisht, qeveritë shqiptare nuk duhej të kishin lejuar, në asnjë kohë e për asnjë lloj arsye, transaksione shitblerje me dollarë dhe euro në ekonominë kombëtare, pavarësisht problematikave që shënuan fillimin dhe vijimin e tranzicionit ekonomik, politik e social shqiptar. Në listën e arsyeve pse nuk duhej lejuar dollarizimi apo euroizimi ekstrem i ekonomisë shqiptare, ajo e mbrojtjes së biznesit nga rreziku i kursit të këmbimit duhej të ishte i fundit, pasi i pari duhej të ishte INTERESI I KONSUMATORIT SHQIPTAR dhe SOVRANITETI MONETAR!
Biznesi, si çdo rrezik, edhe rrezikun e kursit të këmbimit duhet ta menaxhojë vet dhe jo t’ua menaxhojë qeveria, apo thjesht ta hedhin serbes në kurrizin e qytetarit, apo të kujtohen për rrezikun e kursit të këmbimit kur ai u kthehet kundra. Kjo kërkesë shkon në të njëjtën vijë logjike me kërkesën qesharake të disa viteve më parë, nga sipërmarrja shqiptare, që i kërkonte qeverisë t’i kompensonte për humbjet nga kursi i këmbimit (a thua se ndonjë nga sipërmarrja shqiptare i propozoi qeverisë të derdhnin më shumë tatim-fitim, në vitet kur leku zhvlerësohej(!))
Për ekuidistancë, funksionaliteti i logjikës së kësaj kërkese të biznesit për ndalim të shitblerjeve në monedha të huaja në Shqipëri, duhet të krahasohet me një kërkesë të qeverive, gjatë kohëve kur leku zhvlerësohej, që biznesi të paguante vullnetarisht tatime ekstra, për diferencën pozitive të kursit Dollar-Lek apo Euro-Lek, kur Dollari apo Euro rriteshin kundra Lekut ne treg. Nëse kjo e fundit ju duket logjikë e drejtë, atëherë duhet të jetë e drejtë edhe logjika e propozimit të sugjeruar nga sipërmarrja shqiptare në paketën e fundit fiskale!
