Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) njoftoi të shtunën se vendet anëtare kanë hedhur deri tani në treg 325 milionë fuçi naftë dhe produkte të naftës nga rezervat strategjike, nga 400 milionë fuçi të premtuara në mars.
Përditësimi erdhi një ditë pasi liderët e G7, në një deklaratë të publikuar nga zyra e presidentit francez Emmanuel Macron, ranë dakord, në koordinim me IEA-n, që të hedhin menjëherë në treg 100 milionë fuçi naftë diesel dhe naftë bruto.
Vendimi pasoi presionin e SHBA-së ndaj Europës për të përdorur rezervat e saj strategjike, me synimin për të zbutur shqetësimet për furnizimin, të shkaktuara nga lufta mes SHBA-së dhe Iranit.
G7 nuk sqaroi nëse 100 milionë fuçitë e reja përfshijnë edhe 75 milionë fuçitë që mbeten ende nga angazhimi i IEA-s i muajit mars, apo nëse kjo sasi do t’u shtohet atyre.
IEA bëri të ditur se rreth 325 milionë fuçi nga masa kolektive e njoftuar më 11 mars janë hedhur deri tani në treg, duke përfaqësuar më shumë se 80% të 400 milionë fuçive të premtuara fillimisht.
Administrata e Donald Trump ka ushtruar presion ndaj aleatëve që të përdorin rezervat e naftës diesel për të frenuar rritjen e çmimeve të këtij karburanti, e cila po ndihet si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në tregje të tjera.
Lufta në Lindjen e Mesme ka shtuar presionin mbi furnizimet me diesel, pasi Irani ka kufizuar transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit, në përgjigje të sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit.
Tregu është ndikuar gjithashtu nga sulmet e Ukrainës ndaj rafinerive ruse, ndërsa Kievi vazhdon goditjet në kundërpërgjigje ndaj sulmeve të Moskës./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
