Edhe në muajin mars të këtij viti Shqipëria ka pritur një numër të lartë turistësh, duke shënuar një rritje të ndjeshme të vizitorëve të huaj në strukturat akomoduese. Sipas shifrave zyrtare mbi këtë tregues, rezulton se gjatë muajit mars të këtij viti vendin tonë e vizituan gjithsej 115,287 vizitorë, shifër kjo që konfirmon edhe njëherë performancën pozitive të turizmit.
Ndërkohë, krahasuar me marsin e një viti më parë, shohim se këtë vit u regjistruan 45.6% më shumë turistë, ku rritja më e lartë konstatohet tek vizitorët e huaj. Nga ana tjetër, edhe numri i netë qëndrimeve ka ndjekur një trend rritës, konkretisht numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 46 %, në krahasim me muajin mars 2023.
Sipas shifrave të “Institutit të Statistikave” në strukturat akomoduese u regjistruan 68.7% më shumë vizitorë krahasuar me vitin paraardhës.
Nëse i specifikojmë sipas tipologjisë rezulton se në muajin e tretë të këtij viti u regjistruan 47, 085 vizitorë vendas dhe 68,202 vizitorë të huaj. Po ashtu edhe netë qëndrimet nga vizitorët e huaj gjatë muajit mars të këtij viti u rritën me 64.3%, krahasuar me një vit më parë.
Në të kundërt, netë qëndrimet nga vendasit paraqiten në një numër më të ulët. Ndërsa në një analizë më të zgjeruar ku marrim në konsideratë të dhënat e strukturave akomoduese për tremujorin e parë të vitit konstatojmë se janë regjistruar gjithsej rreth 172 mijë turistë të huaj të cilët qëndruan gjithsej rreth 348 mijë netë në strukturat hoteliere.
