Ligjvënësit votuan në mënyrë dërrmuese për të mbështetur përjashtimin e NVM-ve (ndërmarrjeve të vogla e të mesme) nga mekanizmi i rregullimit të karbonit në kufi (CBAM), gjatë shqyrtimit për thjeshtim.
Eurodeputetët votuan këtë javë për të përjashtuar më shumë se 90% të NVM-ve nga CBAM – një taksë mbi importet – në kuadër të planeve të Parlamentit Evropian për të thjeshtuar ligjet ekzistuese për qëndrueshmërinë.
CBAM është një detyrim doganor i bazuar në gjurmën e karbonit të mallrave si çeliku dhe çimentoja, i cili është në fuqi në një fazë tranzitore që nga tetori 2023. Duke filluar nga viti 2026, importuesit do të kenë detyrimin të raportojnë gjurmën e karbonit të mallrave të tyre dhe, ku të jetë e aplikueshme, të paguajnë taksën.
Me thjeshtimin e ri, bizneset e vogla do të përjashtohen nga raportimi i emetimeve të karbonit të prodhuara nga mallrat e importuara në BE, si çeliku, çimentoja, alumini, plehrat kimike, energjia elektrike apo hidrogjeni.
Një rishikim legjislativ për të ulur burokracinë në CBAM u prezantua nga ekzekutivi i BE-së në shkurt, në kuadër të “Paketës Omnibus”, për të mbështetur importuesit e vegjël të BE-së dhe për të parandaluar kompanitë që të zhvendosin prodhimin në vende me politika klimatike më të dobëta (të ashtuquajturat rrjedhje karboni).
Eurodeputetët votuan në mënyrë dërrmuese – 617 pro / 18 kundër – mbi një marrëveshje trilogu, një marrëveshje zyrtare mes Komisionit dhe bashkëlegjislatorëve të BE-së, për një përjashtim për importuesit që sjellin më pak se 50 tonë në vit mallra të mbuluara nga CBAM, një masë që përfiton rreth 90% të importuesve – 182,000 biznese – kryesisht NVM.
“Ne iu përgjigjëm thirrjeve të kompanive për të thjeshtuar dhe për të përshpejtuar procesin, duke përjashtuar 90% të importuesve të mallrave CBAM për të lehtësuar konkurrueshmërinë dhe rritjen e bizneseve tona,” tha eurodeputeti italian Antonio Decario (S&D), drejtues i dosjes në Parlament.
Deputetja e gjelbër austriake Lena Schilling përshëndeti votimin si një shembull se si ulja e burokracisë nuk nënkupton domosdoshmërisht dobësim të mbrojtjes së klimës.
“Shumica e kompanive përfitojnë nga më pak burokraci, ndërsa pothuajse të gjitha emetimet vazhdojnë të monitorohen. Kjo duhet të shërbejë si model për valët e ardhshme të çburokratizimit nga Komisioni Evropian,” tha Schilling për Euronews.
Rishikimi i ardhshëm
Pas votimit të sotëm të eurodeputetëve në seancë plenare, ligji i thjeshtimit pret vetëm miratimin formal të vendeve të BE-së. Megjithatë, ekzekutivi i BE-së po përgatit rishikime shtesë të taksës kufitare deri në fund të vitit, duke nxitur spekulime nëse BE-ja do t’i nënshtrohet presionit të SHBA-së për të zbutur pjesë kyçe të CBAM, pasi ligji u kritikua nga Sekretari i Energjisë Chris Wright për “rreziqe të mëdha ligjore” për kompanitë amerikane.
“Ky ligj u miratua me shumicë sepse nuk ndryshoi fushën e zbatimit, por vetëm operatorët ekonomikë të prekur. Rishikimi i ardhshëm i CBAM mund të jetë më i debatueshëm pasi do të ndryshojë fushën e ligjit,” tha një burim parlamentar për Euronews.
Një zëdhënës i Komisionit tha për Euronews se deri në fund të vitit 2025, ekzekutivi i BE-së do të publikojë një propozim për “të zgjeruar fushën e CBAM në produktet përfundimtare dhe për të adresuar shmangien”.
“Komisioni duhet të japë qartësi së shpejti, dhe industria duhet të vazhdojë përgatitjet. Nuk është e lehtë, por suksesi i CBAM do të varet nga puna e qetë dhe progresi i qëndrueshëm, jo nga paniku,” tha David Cruz, ekspert i ndryshimeve klimatike dhe qëndrueshmërisë në kompaninë norvegjeze të konsulencës CEMAsys./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

