Zv.kryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Blluku, tha se, “zbatimi i aktit normativ për trajtimin e ujërave të ndotur nga subjektet hoteliere që operojnë përgjatë bregdetit, është diskutuar në komisionet e Kuvendit dhe me grupet e interesit dhe ka nisur zbatimin në dakordësi të plotë me subjektet e shërbimit hotelier”.
Balluku iu përgjigj deputetes demokrate, Ilda Dhori në seancën e sotme të Kuvendit, e cila ngriti disa shqetësime sa i përket impiantit që bizneset duhet të vendosin për përpunimin e ujërave larës.
Balluku tha se, subjektet kanë nisur të instalojnë këto impiante, duke iu përgjigjur pozitivisht këtij vendimi, në prag të nisjes së sezonit turistik.
“Kjo nismë vjen në kushtet e një fluksi të shtuar të vizitorëve dhe turistëve dhe kemi rënë të gjithë dakord që pavarësisht investimeve që po bëhen në kanalizime, subjektet e hotelerisë të vendosin impiantet e përpunimit të ujërave me qëllim mbrojtjen e ujërave larës dhe vijës bregdetare duke iu përgjigjur kështu mbarëvajtjes së sezonit turistik”, tha Balluku
Sipas saj, qeveria ka një plan publik të investimeve edhe për zonën e Divjakës, ashtu siç e ka për të gjithë Shqipërinë, investime që do duan kohën e tyre për të përfunduar.
Ajo bëri të ditur se, sa i përket kolektorëve, ato janë të vendosur në programet e infrastrukturës të projektuara dhe me financimet përkatëse.
“Nëse ka biznese të cilat janë me gropa septike, janë ndërtuar për 10 dhoma dhe sot presin më shumë turistë, sigurisht do ketë një impiant që do të trajtojë ujërat që derdhen në kolektor”, u shpreh Balluku.
“Flitet sot për kapacitete të shtuara. Në gjithë Ultësirën Perëndimore, pavarësisht kolektorëve ka një volum të shtuar të ujërave të ndotura që hidhen në kolektor, por edhe në det. Janë të detyruar t’i vendosin ato me gropa septike që nuk e përballojnë dot më fluksin dhe janë të lidhur me ujërat larës që derdhen në lumenj dhe liqene”- tha zv.kryeministrja.
Së fundmi, MIE ka ngritur edhe task-forcë për kontrollin e menaxhimit të ujërave të ndotura në sektorin e turizmit bregdetar.
