Standardet e kreditimit u lehtësuan për bizneset e vogla e të mesme, që përbëjnë dhe segmentin me numrin më të madh të sipërmarrjeve, bën të ditur Banka e Shqipërisë në Raportin e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues.
Sipas Bankës së Shqipërisë, “nuk ka ndryshim të standardeve në kreditë për financimin e investimeve dhe në ato për mbulimin e nevojave për likuiditet. Sipas madhësisë së biznesit, standardet u lehtësuan për bizneset e vogla e të mesme, që përbëjnë dhe segmentin me numrin më të madh të sipërmarrjeve, ndërkohë që mbetën të pandryshuara për bizneset e mëdha. Lehtësimi i kritereve të kreditimit për bizneset në tremujorin e parë të këtij viti u arrit nga kostot dhe kufizimet më të ulëta nga bilanci”.
Banka Qendrore, pret që në tremujorin e dytë të këtij viti, standardet e kreditimit të lehtësohen më tej në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, në kreditë lëvruar me qëllim financimin e investimeve dhe mbulimin e nevojave për likuiditet.
Ndërkohë, ato priten të mbeten të pandryshuara në kreditë për bizneset e mëdha.
Në raportin e saj, Banka e Shqipërisë thekson se, “kërkesa për kredi nga bizneset do të vijojë të rritet në të gjitha segmentet e madhësisë së biznesit dhe për çdo lloj qëllimi e përdorimi”.
