Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur në një marrëveshje për dinarin edhe gjatë raundit të katërt në Bruksel.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas takimit se pala serbe nuk ka ardhur me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, “por ata kanë paraqitur propozimin e tyre”.
“Ky takim mund të quhet si takim i kotë, pa rezultat dhe ndoshta si sukses i politikës penguese të palës serbe”, tha Bislimi.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, tha se Beogradi “bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje”.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
