Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, tha sot se ekziston një plan për ta kthyer bukën në një produkt tradicional shqiptar, duke ndërtuar dhe një muze.
Balluku, gjatë një inspektimi në furrat e bukës në Lushnjë, tha se ky muze do të ishte një atraksion i shtuar në fushën e turizmit.
“Kemi plan për bukën tradicionale ta bëjmë markë të njohur shqiptare dhe të kemi të gjitha hapat, që duhen ndërmarrë. Ramë dakord të bëjmë dhe muzeun e bukës, ndoshta këtu në Lushnjë. Do të ulemi të gjithë në tryezë dhe ta diskutojmë këtë ide”, tha Balluku.
“E kam diskutuar me ministren e Bujqësisë zonjën Denaj dhe ministren e Turizmit, zonjën Kumbaro, mund ta kthejmë në një “trade mark”, duke e vendosur dhe në prizmin e historisë, se si e bluanin shqiptarët misrin, grurin etj., dhe si ka evoluar prodhimi i bukës, varietetet e bukëve, pasi një pjesë e tyre ruhet edhe sot. Të gjitha këto të përmbledhura, duke ngritur dhe një muze, ku mund edhe të prodhohej buka brenda në muze dhe të shijohej. Mund të ishte një atraksion turistik në të ardhmen. Mund ta bëjmë dhe në Lushnjë”, tha Balluku.
“Duam të rikrijojmë historinë e prodhimit të bukës në çdo zonë. Ka vend që edhe të huajt dhe turistët t’u shprehim traditën shqiptare të të bërit të bukës, ëmbëlsirave, byrekëve etj.”, tha përfaqësuesi i Shoqatës së Furrave të Bukës.
