Deficiti buxhetor arriti -31 miliardë lekë gjatë vitit të kaluar , duke shënuar nivelin më të ulët në vlerë që nga viti 2018. Nga -55.5 miliardë që ishte programi, realizimi ishte vetëm 44%.
Kjo ecuri e ka ndihmuar qeverinë të ulë borxhin publik poshtë pritshmërive gjatë 2023.
Përgjatë gjithë vitit 2023 balanca buxhetore ishte pozitive. Që nga janari deri në nëntor arka e shtetit ishte në suficit, kryesisht edhe për shkak të kalendarit të investimeve që përqendron pagesat në muajin dhjetor.
Në nëntor 2023 buxheti kishte suficit të përgjithshëm prej 37.7 miliardë lekësh, ndërsa në dhjetor shkoi në deficit 31 miliardë lekësh. Në çdo muaj të vitit 2023 përveç dhjetorit të ardhurat kanë qenë më të larta se shpenzimet. Në kontrast, në dhjetor shpenzimet arritën në 125,9 miliardë lekë, teksa të ardhurat ishin 56.8 miliardë lekë. Në dhjetor qeveria ekzekutoi gati 19% të totalit të buxhetit.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se vitin e kaluar borxhi publik shënoi 59.2% të PBB-së, ky ishte niveli më i ulët i këtij treguesi që nga viti 2011. Brenda vitit 2023, borxhi publik shënoi rënie me 7.7 pikë për qind të PBB-së.
Këtë vit deficit buxhetor është parashikuar rreth 61.3 miliardë lekësh, ku huamarrja e brendshme pritet të financojë rreth 81.6% të tij ose rreth 50 miliardë lekë. Huamarrja neto e huaj pritet të jetë në nivele negative, ndërsa pjesa tjetër e deficitit parashikohet të financohet nga gjendja e mbartur e likuiditetit në vitin 2023.
Duke filluar nga tremujori i dytë i vitit 2024, MFE synon kryerjen e ankandeve për blerjen mbrapsht të titujve qeveritarë referencë që maturohen në vitin 2025 me qëllim uljen e riskut të rifinancimit të atij viti.
Huamarrja e huaj parashikohet të realizohet kryesisht nëpërmjet disbursimit të huave që financojnë zbatimin e projekteve prioritare të qeverisë, si dhe disbursimit të mbështetjeve buxhetore procedurat dhe kushtet paraprake të të cilave mund të arrijnë të plotësohen gjatë vitit 2024.
