Nga Aina Hoti*
Në Ditën Botërore të Turizmit vëmendja shkon natyrshëm te numri i vizitorëve që zgjedhin Shqipërinë. Por përtej statistikave ekziston një kategori me peshë të veçantë ekonomike: diaspora shqiptare.
Kur kthehet në atdhe, diaspora nuk sjell vetëm lidhjen me familjen dhe vendlindjen. Ajo rezervon hotele, frekuenton restorante, udhëton, merr makina me qira, blen produkte shqiptare dhe përdor një gamë të gjerë shërbimesh. Pra, është pjesë aktive e konsumit turistik.
Pyetja është: sa i përgatitur është tregu shqiptar për mënyrën se si ky konsumator është mësuar të blejë dhe të paguajë?
Konsumatori po ndryshon. Po tregu?
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një transformim të qartë. Në vitin 2015, rreth 88% e përdorimit të kartave lidhej me tërheqjen e cash-it në ATM dhe vetëm 12% me pagesat në POS. Në vitin 2024 raporti ishte afruar në 52% ATM dhe 48% POS.
Në vitin 2025, frekuenca e përdorimit të kartave për pagesa tejkaloi për herë të parë atë të përdorimit për tërheqjen e cash-it.
Konsumatori po ecën drejt pagesës elektronike. Por në terren vazhdojmë të ndeshim: “Vetëm cash.”, “POS-i nuk punon.” apo “Me kartë është 3% më shumë.”
Këtu nuk kemi më vetëm një çështje teknologjie. Kemi një diferencë mes ritmit me të cilin ndryshon konsumatori dhe ritmit me të cilin përshtatet tregu.
Kush duhet të ndryshojë?
Përgjegjësia nuk mund t’i lihet vetëm konsumatorit.
Biznesi duhet të ndryshojë mënyrën se si e sheh pagesën elektronike. POS-i nuk duhet parë vetëm si një komision bankar, por si një instrument shitjeje. Pyetja nuk është vetëm “sa më kushton transaksioni?”, por edhe “sa më kushton klienti që humbas nëse ia vështirësoj pagesën?”
Bankat dhe ofruesit e pagesave duhet ta bëjnë pranimin e kartave më të thjeshtë dhe konkurrues, veçanërisht për bizneset e vogla dhe sezonale që operojnë në turizëm.
Personeli i shërbimit duhet të trajnohet. Në hotel, restorant, taksi apo pikë turistike, pagesa me kartë nuk duhet të kthehet në diskutim me klientin. Duhet të jetë pjesë normale e shërbimit.
Institucionet duhet ta shohin pagesën elektronike si pjesë të zhvillimit të turizmit dhe formalizimit të ekonomisë, jo vetëm si çështje të sistemit bankar. Pra, ndryshimi duhet të ndodhë në të gjithë zinxhirin.
Diaspora është një test i rëndësishëm
Diaspora e njeh Shqipërinë, por jeton dhe konsumon çdo ditë në tregje të tjera. Për këtë arsye krahason natyrshëm çmimin, shërbimin, transparencën, faturimin dhe mënyrën e pagesës.
Kjo e bën atë një pasqyrë të konkurrueshmërisë së tregut shqiptar. Dhe këtu turizmi lidhet drejtpërdrejt me investimin.
Një person që sot kalon pushimet në Shqipëri, nesër mund të blejë një pronë, të hapë një aktivitet turistik, të sjellë partnerë apo të investojë kapitalin dhe eksperiencën e krijuar jashtë vendit.
Por besimi nuk krijohet ditën kur firmoset investimi. Ai ndërtohet nga eksperienca me tregun.
Nëse si konsumator has transparencë, profesionalizëm dhe lehtësi në transaksione, krijohet besim. Nëse përballet vazhdimisht me pengesa, krijohet efekti i kundërt.
Nga konsumatori te investitori
Në Ditën Botërore të Turizmit duhet të shohim përtej numrit të hyrjeve në kufi.
Për diasporën, zinxhiri është i qartë:
Diasporë → Turizëm → Konsum → Pagesë → Eksperiencë → Besim → Investim
Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për më shumë turistë. Ka nevojë që tregu, biznesi, bankat dhe shërbimet të evoluojnë bashkë me konsumatorin.
Sepse diaspora nuk është vetëm burim kapitali. Ajo është fillimisht kliente e tregut shqiptar.
Dhe ndonjëherë vendimi për të investuar nesër fillon pikërisht nga mënyra se si je trajtuar sot si konsumator.
*Aina Hoti, Eksperte Financa & Investime
