Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara votoi të mërkurën për rritjen e normave të interesit për herë të parë që nga viti 2023, ndërsa banka qendrore vijon përpjekjet për të frenuar inflacionin.
Komiteti Federal i Tregut të Hapur votoi unanimisht për rritjen e normës bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar atë në intervalin 3.75%-4%. Kjo është hera e parë që Fed rrit normat që nga korriku 2023 dhe vendimi mund ta vendosë kreun aktual të Fed, Kevin Warsh, në përplasje me Donald Trump.
“Inflacioni mbetet i lartë. Vendimi i sotëm i politikës monetare do të mbështesë një rikthim më të shpejtë drejt objektivit prej 2% të Komitetit”, thuhet në deklaratën e Fed.
Vendimi vjen pasi Trump ka deklaruar në mënyrë të drejtpërdrejtë se SHBA duhet të ketë “NORMËN MË TË ULËT se çdo vend tjetër në botë” dhe se do të “ndalojë tregtinë me vendet me të cilat kemi deficit” nëse banka qendrore nuk ul normat e interesit. Trump e kishte emëruar Warsh me pritshmërinë që ai të ulte normat, megjithëse Warsh ka deklaruar se ruan pavarësinë nga Shtëpia e Bardhë.
Projeksionet e reja tregojnë se shumica e zyrtarëve të Fed parashikojnë edhe një tjetër rritje të normës së interesit përpara fundit të vitit. Katër zyrtarë presin që norma bazë e Fed të arrijë në intervalin 4.25%-4.5% deri në fund të vitit.
Megjithëse vlerësimet për rritjen ekonomike dhe papunësinë ishin relativisht pozitive, zyrtarët e Fed parashikojnë se do të duhet afërsisht deri në vitin 2029 që inflacioni të kthehet në objektivin prej 2%.
Lufta në vazhdim SHBA-Izrael me Iranin ka ushtruar presion në rritje mbi inflacionin, veçanërisht mbi çmimet e energjisë. Çmimet e benzinës kanë mbetur mesatarisht 1 dollar për gallon më të larta se një vit më parë. Ndërkohë, karburanti dizel, që përdoret për autobusë, trena dhe kamionë, ka arritur së fundmi në një nivel rekord prej 6.31 dollarësh për gallon.
Shqetësimet për inflacionin kanë shkaktuar gjithashtu shitje të forta në tregun amerikan të obligacioneve. Yield-i i bonove 10-vjeçare të Thesarit arriti këtë javë nivelin më të lartë në 19 vjet, pavarësisht përpjekjeve të Thesarit të SHBA për të qetësuar tregun. Vështirësitë në tregun e obligacioneve amerikane, i konsideruar zakonisht një nga investimet më të sigurta, mund të çojnë në norma më të larta interesi për kreditë e konsumatorëve dhe të bizneseve.
Fed përdor normat e interesit si instrument për të frenuar rritjen e çmimeve, duke ngadalësuar aktivitetin ekonomik. Norma më të larta ndikojnë kreditë hipotekore, financimin e automjeteve, borxhin studentor dhe forma të tjera kredie.
Pasi inflacioni arriti nivelin më të lartë të dekadave të fundit, prej 9.1% në qershor 2022, Fed rriti normat 11 herë gjatë viteve 2022 dhe 2023. Norma bazë u çua në intervalin 5.25%-5.5%, përpara se banka qendrore të niste uljen e normave në vitet 2024 dhe 2025.
Në fillim të këtij viti, kur inflacioni vjetor ishte 1 pikë përqindjeje më i ulët se niveli aktual, një rritje e normave nga Fed dukej shumë pak e mundshme. Në fakt, shumica e zyrtarëve të Fed parashikonin një ulje të normës përpara fundit të vitit. Por inflacioni në gusht mbeti i lartë, ndërsa papunësia ishte e qëndrueshme, duke rritur mundësinë e një shtrëngimi të politikës monetare.
Çmimet më të larta kanë rënduar perspektivën ekonomike në një moment kur zgjedhësit amerikanë përgatiten për zgjedhjet e nëntorit. Të dhënat dhe sondazhet e fundit tregojnë se inflacioni i lartë ka zhbërë rritjen reale të pagave dhe ka përkeqësuar pritshmëritë e konsumatorëve.
Në gusht, të ardhurat për orë të punonjësve, të korrigjuara për inflacionin, ranë me 0.1% krahasuar me një vit më parë dhe me 0.3% krahasuar me muajin e mëparshëm. Besimi i konsumatorëve gjithashtu ka rënë ndjeshëm, sipas sondazhit mujor të Universitetit të Miçiganit, ndërsa pritshmëritë për rritje të mëtejshme të inflacionit janë shtuar.
Kandidatët nga të dyja anët e spektrit politik janë përpjekur ta vendosin koston e jetesës dhe ekonominë në qendër të fushatave të tyre. Megjithatë, sipas të dhënave të fundit të Pew Research Center, votuesit mbeten të ndarë për atë se cila parti ka avantazhin më të madh në këtë çështje.
Ndërkohë, Trump u ka kërkuar votuesve republikanë që në zgjedhjet e mesmandatit të votojnë sikur të ishte vetë ai në fletën e votimit dhe ka premtuar një “dividend Trump” prej 5,000 dollarësh për çdo amerikan, nëse republikanët ruajnë kontrollin e Kongresit.
Kritikët e kanë cilësuar këtë lëvizje si të ngjashme me blerjen e votës dhe kanë paralajmëruar për pasojat financiare, veçanërisht pasi borxhi publik i SHBA arriti muajin e kaluar një rekord prej 40 trilionë dollarësh.
