Nga Elvin Meka
Përdorimi i ulët i kartave të kreditit në Shqipëri fillimisht lidhej, vite më parë, me komisionet që ngarkonin tregtarët mbi konsumatorët, me qëllim shkarkimin e komisioneve të bankave te konsumatori final (siç bën Wizz Air kur blen bileta, që të detyron si monopol të paguash ti si klient komisionin që i ngarkon banka dhe Wizz paguan zero komision te banka), si dhe tarifa vjetore prej rreth 2.000-2.500 lek.
Masivisht mospërdorimi i kartave të kreditit, të paktën nga pagamarrësit e administratës dhe atyre me paga të nivelit të mesëm lidhet me disa arsye:
1. Kultura e cash-it mbetet shkatërruese dhe jashtë Tiranës mbetet dominuese ose mënyra e vetme e pagesës.
2. Informaliteti sidomos jashtë qendrave të mëdha urbane apo në periferi është epik dhe karta shihet nga tregtarët sikur po i nxjerr pistoletën apo kallashnikovin.
3. Komisionet ende shumë të larta që aplikohen nga bankat për pranim pagesash me karta në POS (mungesa e një karte kombëtare pagesash në lek e neutralizon çdo përpjekje për të ulur fort komisionet. Kur të hyjmë në BE do mund të ulen fort komisionet; tani për tani jo).
4. Dija, kultura dhe edukimi tejet i ulët financiar i publikut, madje dhe i vetë punonjësve të bankave. Shqiptarit i duket që po mori kartë krediti është i zhytur në borxh dhe banka do e rrjepi nga interesat. Gjithashtu, jo pak punonjës bankash kanë vështirësi të bëjnë dallimin e avantazheve praktike midis të kartave të kreditit ndaj atyre të debitit!
5. Preferencë për kartë debiti, që duket si më reale dhe me rreziqe më të ulëta sesa karta e kreditit, që e thamë që i duket si kredi dhe borxh për tu shlyer (gogoli i borxhit).
6. Aplikim minimal i nxitësave financiare dhe të statusit personal financiar për përdorim karte krediti. Në Shqipëri karta e kreditit nuk shihet si instrument për ndërtim historiku krediti (sepse dhe bankat nuk e shpjegojnë një gjë të tillë për klientët), ndërkohë në shitjet me pakicë mungojnë masivisht nxitësat financiare praktike, që e tërheqin klientin të përdorë kartën e kreditit më shumë se cash apo atë të debitit (si nga ana e bankave ashtu dhe nga tregtarët). Fare pak banka ofrojnë nxitje reale për përdorim aktiv kartash krediti, ndërkohë që tregtarët shqiptarë ofrojnë ZERO nxitësa për përdorim karte krediti.
Po çfarë duhet ditur për ta kthyer kartën e kreditit në avantazh personal financiar?
1. Njerëzit që kanë mundësi të marrin një kartë krediti (edhe me limit të vogël 500-1.000 euro ekuivalent) duhet të mos mbeten analfabete por duhet të kuptojnë që kur përdorin kartën e kreditit po përdorin paratë e bankës dhe jo të tyre nga llogaria personale. Pra është më mirë të përdorin për 1 muaj paratë dhe fondet e bankës sesa paratë e tyre. Kur përdor kartë debiti thjesht po pakëson gjendjen tënde të llogarisë apo disponibilitetin për cash-in në llogarinë tënde. Cash-i në llogarinë tënde nuk ka pse përdoret gjatë një muaji për blerje që mund të përdorësh paratë e bankës.
2. Karta e kreditit mbron më mirë sesa ajo e debitit paratë e klientit. Përdorimi i kartës së debitit ekspozon të dhënat personale ndaj krimit kibernetik dhe rrezikon të të zbrazin krejt llogarinë në rast sulmi. Kur përdoret karta e kreditit, në rast hakerimi nuk mund të tejkalohet limiti i kartës, plus mbrojtja e saj është më e sofistikuar dhe e shkallëzuar sesa ajo e debitit. Masivisht në raste hakerimi të kartave të kreditit dëmin e paguan banka kurse për ato të debitit rikuperimi i gjendjes është shumë i vështirë në mos i pamundur.
3. Kartën e kreditit mund ta përdorësh pa interes (si charge card) nëse e shlyen detyrimin brenda periudhës së faljes (grace). Sigurisht shlyerjen do e bësh me cash nga llogaria rrjedhëse por për 1 muaj ke përdorur paratë e bankës si kredi pa interes dhe jo të tuat që mund të të duhen për ndonjë emergjencë të shkurtër dhe i ke cash në llogari.
4. Karta e kreditit në disa banka të jep mundësi të ndash me këste pa interes pagesat që bën, kurse ajo e debitit nuk ta mundëson diçka të tillë. Ndarja me pak këste mujore (edhe me 3) është favorizuese, pasi shpërndan në kohë disa shpenzime të sotme (brenda limitit të kartës).
5. MASTERCARD edhe për 2026-ën ka aplikuar një program interesant nxitësi financiar për përdorim të pagesave me kartë (MAsterCard) debiti dhe krediti, ku çdo të martë mund të blesh ushqime dhe të paguash në restorante dhe të kthehen 10% të blerjes mbrapsht në llogarinë e kartës (sigurisht nuk është vetëm për kartat e kreditit, por kjo shtohet te avantazhet e mësipërme që përmenda)!
Përdorimi i kartave të kreditit ka nevojë për më shumë edukim dhe informim financiar nga bankat!
Teknikisht biznesi i kartave është thuajse me humbje për bankat (ose humbje ose fitim minimal), por ato janë një instrument i shkëlqyer për “cross selling” të produkteve të tjera bankare!
P.S. Nuk kam asnjë përfitim personal nga MasterCard për paraqitjen e ofertës së tyre; ky është informacion publik në çdo bankë që lëshon karta MasterCard!
