Adhuruesit e shampanjës mund ta ndiejnë më shpejt efektin e alkoolit, pasi prodhuesit francezë kanë marrë për herë të parë leje që të rrisin përmbajtjen e alkoolit në një shishe shampanjë, pas valës rekord të të nxehtit të kësaj vere.
Prodhuesit e verës mund të prodhojnë përkohësisht shampanjë me përmbajtje alkooli deri në 15%, nga kufiri i mëparshëm prej 13%, kanë bërë të ditur përfaqësues të industrisë.
Të nxehtit ekstrem dhe thatësira sollën rrush me nivele jashtëzakonisht të larta sheqeri. Gjatë fermentimit, majaja e shndërron sheqerin në alkool.
Rajoni Champagne në Francë regjistroi gjithashtu vjeljen më të hershme të rrushit në histori për shkak të kushteve të motit, një fenomen që mund të bëhet normë “brenda 10 deri në 15 vjetësh” si pasojë e ndryshimeve klimatike, sipas shoqatës së industrisë Comité Champagne.
Rritja e përkohshme e kufirit të alkoolit në shampanjë pritet të prekë vetëm një numër të vogël verërash, tha për BBC një zëdhënëse e Comité Champagne.
Gjatë procesit të dytë të fermentimit, i cili i jep shampanjës flluskat karakteristike, “një numër shumë i vogël verërash nga kjo vjelje mund të kenë tejkaluar lehtë kufirin rregullator prej 13%, duke arritur rreth 13.1% ose 13.2%”.
“Për këtë arsye u mor vendimi që, në mënyrë të jashtëzakonshme dhe të përkohshme, kufiri rregullator të rritet në 15% – vetëm për këtë vit”, tha ajo.
Vjelja e parë e rrushit nisi në fillim të gushtit dhe u zgjerua deri në mesin e muajit, duke shënuar “vjeljen më të hershme të regjistruar ndonjëherë në Champagne”, sipas shoqatës.
“Sezoni i prodhimit 2026 do të mbahet mend si një nga më të pazakontët në historinë e Champagne, i karakterizuar nga ngrica të forta pranverore me intensitet historik, një periudhë lulëzimi jashtëzakonisht e hershme dhe pesë valë të nxehti gjatë verës”, shtoi shoqata.
Duke folur për gazetën “The Times”, Stéphane Vignon, një prodhues në Verzenay, tha: “Klima mesdhetare po zhvendoset drejt veriut. Ky është viti i parë i një cikli të ri. Nuk ka gjasa të ndodhë çdo vit, por do të përsëritet”.
Megjithatë, shampanja me përmbajtje më të lartë alkooli nuk pritet të jetë domosdoshmërisht një pikë e fortë marketingu, paralajmëroi Jane Anson, kolumniste dhe autore e specializuar për verërat me bazë në Bordeaux.
Ajo tha për “The Times”: “Sot njerëzit po preferojnë gjithnjë e më shumë pije me përmbajtje më të ulët alkooli”.
“Përplasja mes asaj që kërkojnë konsumatorët dhe asaj që ofron natyra duhet të jetë shumë stresuese për prodhuesit.”
Shampanja e prodhuar nga vjelja e vitit 2026 nuk pritet të dalë në shitje para vitit 2028, pasi shampanja duhet të vjetrohet për të paktën 15 muaj.
Maxime Toubart, bashkëkryetar i Comité Champagne, tha për agjencinë AFP se mundësia e temperaturave më të larta në të ardhmen do të thotë se “kjo vjelje e pazakontë ndoshta do të bëhet normë brenda 10 deri në 15 vjetësh”.
Franca ka qenë një nga vendet europiane më të goditura nga moti ekstrem gjatë këtij viti, i cili ka shkaktuar edhe zjarre të mëdha.
Ndryshimet klimatike po rrisin temperaturat mesatare globale, duke i bërë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive.
Ky fenomen po ndihet veçanërisht fort në Europë, e cila është kontinenti që po ngrohet më shpejt, me një ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale, sipas shërbimit klimatik Copernicus./Përshtati nga BBC, ekofin.al
