Qeveria synon të ndryshojë tërësisht kuadrin ligjor për administrimin dhe disponimin e pronave të paluajtshme të shtetit, duke bashkuar në një ligj të vetëm rregullat për regjistrimin, inventarizimin, transferimin, përdorimin, qiranë, privatizimin dhe shkëmbimin e tyre.
Projektligji i ri “Për pronat e paluajtshme të shtetit në Republikën e Shqipërisë” përcakton një arkitekturë të re për mënyrën se si shteti dhe pushteti vendor do të menaxhojnë pasuritë e tyre. Objektivi i deklaruar është standardizimi i procedurave, përdorimi me eficiencë i pronës shtetërore, si dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me rolin e Agjencisë Shtetërore të Pronës, e cila parashikohet të jetë përfaqësuese e pronarit shtet, “Republika e Shqipërisë”, për të gjitha pronat që nuk janë transferuar dhe nuk janë caktuar në përgjegjësi administrimi të institucioneve shtetërore.
Agjencia do të kryejë inventarizimin, përditësimin dhe regjistrimin e pronave shtetërore, ndërsa do të propozojë edhe transferimin e pronave te bashkitë apo ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit ndërmjet institucioneve.
Projektligji bën një ndarje të qartë mes pronave publike, pronave publike të patjetërsueshme dhe pronave shtetërore jopublike. Kategoria e fundit do të ketë një regjim të ngjashëm me pronën private dhe mund të disponohet sipas mënyrave të parashikuara në Kodin Civil.
Në kategorinë e pronave publike të patjetërsueshme përfshihen ndër të tjera vija bregdetare, bregu i detit, rëra bregdetare, plazhet, ujërat territoriale, shtretërit dhe brigjet e lumenjve, liqenet, lagunat, rezervuarët, si edhe burimet natyrore dhe rezervat minerare. Për këto pasuri mund të rregullohet përdorimi nga subjektet private, por pronësia nuk mund t’u kalojë atyre.
Një nga dispozitat me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik është ajo që përcakton format e disponimit të pronës shtetërore. Si rregull, procedurat do të jenë konkurruese. Pronat mund të privatizohen përmes shitjes me ankand apo formave të tjera të kalimit të pronësisë të lejuara nga Kodi Civil, por përjashtohet dhurimi. Projektligji lejon gjithashtu shkëmbimin e pronës shtetërore me pasuri private, si dhe dhënien me qira ose enfiteozë.
Një risi e rëndësishme lidhet me pronat që do të zhvillohen sipas planeve të përgjithshme vendore. Drafti parashikon që kalimi i pronës shtetërore në private të mund të bëhet edhe në funksion të këtyre planeve, me kusht që pjesa shtetërore të mos jetë më e madhe se 20% e pronës që do të zhvillohet.
Kushtet që duhet të plotësojnë subjektet private, mënyra e vlerësimit të pronës shtetërore dhe institucionet që do të përfshihen në proces do të përcaktohen më pas me vendim të Këshillit të Ministrave.
Në këtë mënyrë, projektligji krijon një mekanizëm të posaçëm për rastet kur një pjesë e pronës shtetërore ndodhet brenda një sipërfaqeje më të madhe të parashikuar për zhvillim.
Në të njëjtën kohë vendosen parime që duhet të ndiqen gjatë disponimit: mbrojtja e interesit publik, transparenca dhe konkurrenca, përdorimi ekonomik dhe eficient i pronës, sigurimi i të ardhurave sa më të favorshme për buxhetin e shtetit dhe trajtimi i barabartë i subjekteve.
Projektligji trajton edhe një problematikë të rëndësishme të pronësisë në Shqipëri: rastet kur shteti dhe privatët rezultojnë bashkëpronarë të së njëjtës pasuri. Pjesëtimi parashikohet të realizohet fillimisht me marrëveshje dhe me vlerësim nga ekspert i licencuar. Kur palët nuk bien dakord për pjesëtimin fizik dhe përdorimi i pronës nga shteti është i nevojshëm për një interes publik, privati mund të kompensohet financiarisht ose me një pronë tjetër me vlerë të barabartë. Në mungesë marrëveshjeje, çështja kalon në gjykatë.
Një tjetër mekanizëm parashikohet për pronat shtetërore në bashkëpronësi që do të përdoren për projekte zhvillimi. Në këto raste mund të bëhet individualizimi në terren i pjesëve të bashkëpronarëve. Pjesa që i caktohet privatit nuk mund të jetë më e vogël se pjesa ideale që ai zotëron sipas titullit të pronësisë; për çdo diferencë negative parashikohet kompensim financiar, i cili duhet të përcaktohet përpara fillimit të përdorimit të pronës.
Drafti prek drejtpërdrejt edhe personat privatë që disponojnë tituj të vjetër pronësie mbi pasuri që figurojnë si shtetërore. Për titujt e lëshuar nga organet administrative përpara hyrjes në fuqi të ligjit, por që nuk janë pasqyruar në regjistrat hipotekorë apo kadastralë, vendoset një afat 12-mujor për paraqitjen e kërkesës për regjistrim pranë Agjencisë Shtetërore të Pronës.
Nëse titulli paraqitet brenda këtij afati, subjektet përjashtohen nga kamatëvonesat. Pas kalimit të 12 muajve, ky përjashtim humbet dhe kamatëvonesa llogaritet e plotë. Kur regjistrimi refuzohet, privati ruan të drejtën për ta çuar pretendimin e pronësisë në gjykatë.
Rregulla të reja vendosen edhe për bashkitë. Pronat shtetërore mund t’u transferohen njësive vendore në pronësi ose në përdorim, por Këshilli i Ministrave mund të vendosë kufizime mbi ndryshimin e destinacionit, tjetërsimin apo dhënien e tyre te të tretët. Të ardhurat e siguruara nga tjetërsimi ose përdorimi i këtyre pronave duhet të përdoren vetëm për realizimin e funksioneve të pushtetit vendor.
Madje, Këshilli i Ministrave mund të revokojë transferimin e pronësisë te një bashki kur prona nuk i shërben më funksioneve të saj, kur përfshihet në fushën e kthimit dhe kompensimit të pronave ose kur kërkohet për një interes publik kombëtar sipas një projekti apo plani të miratuar.
Projektligji parashikon gjithashtu se, kur ndërtesa apo objekte shtetërore ndodhen në gjurmën e një projekti për të cilin është miratuar leja e zhvillimit, ato mund të shemben për realizimin e projektit. Kostot e shembjes dhe vlera kontabël e objekteve do të përballohen nga zhvilluesi.
Për përdorimin e pronës shtetërore në kundërshtim me destinacionin e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, projektligji vendos edhe një gjobë prej 100 mijë lekësh, krahas mundësisë për shfuqizimin e së drejtës së përdorimit.
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri do të shfuqizohen ligji nr.8743/2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, ligji nr.8744/2001 për transferimin e pronave publike shtetërore te njësitë vendore, si edhe akti normativ i vitit 2008 për privatizimin dhe dhënien në përdorim të ndërmarrjeve dhe objekteve shtetërore. Aktet aktuale nënligjore do të vijojnë të qëndrojnë në fuqi deri në miratimin e akteve të reja. /ekofin.al
