Italia sugjeron përjashtimin nga tarifat për tregtarët për pagesat nën 10 euro, një masë që mbështetet nga komuniteti i bankave qendrore, ndërsa në Bruksel po zhvillohen negociatat përfundimtare për hedhjen në qarkullim të euros digjitale.
Italia ka propozuar vendosjen e një përjashtimi nga tarifat për transaksionet me euro digjitale nën 10 euro, një masë që do të favorizonte veçanërisht bizneset e vogla, sipas burimeve të konsultuara dhe dokumenteve të parë nga Euronews.
Euroja digjitale është një formë digjitale pagese që pritet të plotësojë paranë cash. BQE synon të jetë gati për një emetim të mundshëm të parë në vitin 2029, me kusht që kuadri i nevojshëm ligjor të miratohet këtë vit.
Duke qenë se Evropa mbështetet kryesisht te skemat amerikane të pagesave, si Visa dhe Mastercard, Bashkimi Evropian po kërkon më shumë autonomi strategjike në sektorin e pagesave, ku euroja digjitale shihet si një nga zgjidhjet e mundshme.
Euroja digjitale do të ketë statusin e mjetit ligjor të pagesës, çka do të thotë se tregtarët, në përgjithësi, do të jenë të detyruar ta pranojnë, me disa përjashtime. Për këtë arsye, ligjvënësit po negociojnë mënyrën se si do të shpërndahen tarifat mes pjesëmarrësve të tregut, në mënyrë që bizneset e vogla të mos penalizohen nga përdorimi i monedhës së re digjitale.
Shpërndarja e tarifave mes pjesëmarrësve të tregut, e njohur si “modeli i kompensimit”, është një nga çështjet më delikate të negociatave në Bruksel, së bashku me “kufijtë e mbajtjes”, që përcaktojnë shumën maksimale të eurove digjitale që një përdorues mund të mbajë në portofolin e tij digjital.
“Propozimi është që tarifa e shërbimit për tregtarët të kufizohet deri në 0.02 euro për transaksionet me vlerë të ulët, veçanërisht për tregtarët e vegjël. Por jemi të hapur të shqyrtojmë edhe një tarifë neto zero, pasi në praktikë ky do të ishte gjithsesi rezultati”, tha për Euronews, në kushte anonimiteti, një diplomat i BE-së.
“Një zgjidhje e tillë do ta bënte gjithashtu kuadrin më të thjeshtë”, shtoi diplomati.
Sipas dokumenteve të brendshme të parë nga Euronews në lidhje me negociatat, skema e tarifave do të jetë e përkohshme, duke i dhënë BQE-së mundësinë të mbledhë të dhëna të mjaftueshme përpara se të propozojë, nëse do të jetë e nevojshme, një model të ri.
Nevoja për më shumë të dhëna mbi tarifat e pagesave është evidentuar edhe nga Gjykata Evropiane e Audituesve. Në një raport të vitit 2025, institucioni konstatoi se Komisioni Evropian nuk kishte të dhëna të mjaftueshme mbi tarifat dhe kostot e shërbimit për tregtarët për të monitoruar në mënyrë efektive ndikimin e ndërhyrjeve ekzistuese mbi çmimet në tregun e pagesave.
Dokumente të tjera të negociatave tregojnë se bizneset e vogla zakonisht paguajnë tarifa më të larta sesa kompanitë e mëdha, pasi kanë fuqi më të dobët negociuese përballë skemave ndërkombëtare të pagesave. Këto skema janë të vështira për t’u refuzuar nga tregtarët, veçanërisht kur përdoren gjerësisht nga konsumatorët.
Sipas një analize të BQE-së, tregtarët e vegjël mund të paguajnë tarifa tre deri në katër herë më të larta sesa bizneset më të mëdha.
Çështja do të shqyrtohet nga shtetet anëtare, Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian gjatë raundit të ardhshëm të negociatave në Bruksel, sipas një dokumenti të brendshëm të parë nga Euronews.
Negociatorët do të takohen sërish në Bruksel të enjten, më 10 shtator, për diskutime të mëtejshme./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
