Përshkallëzimi në Detin e Zi ka rikthyer frikën në Evropë se Rusia do të përpiqet të përdorë furnizimin me ushqime si armë për të nxitur një valë migracioni dhe për të dobësuar mbështetjen për Ukrainën.
Evropa druhet se një krizë e rëndë, me pasoja zinxhir, mund të shpërthejë ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë po imponon një bllokadë të re në Detin e Zi, duke penguar një prej korridoreve më të rëndësishme tregtare.
Alarmi u shfaq hapur të mërkurën gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së në Irlandë, ku pati thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në rajon.
“Në Detin e Zi, sulmet ruse ndaj anijeve me drithëra mund të shkaktojnë një tjetër goditje globale për sigurinë ushqimore”, tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas.
Ministri belg Maxime Prévot bëri thirrje për një “zgjidhje të koordinuar”, për të shmangur atë që e cilësoi si një katastrofë të trefishtë: rënien e të ardhurave të shtetit ukrainas, një krizë globale ushqimore në Afrikë dhe intensifikimin e flukseve të migracionit në shkallë të gjerë drejt Evropës.
“Bllokimi i dërgesave të drithërave dhe energjisë në Detin e Zi nuk është diçka që mund ta shohim thjesht nga larg”, tha ai.
Që prej korrikut, Moska ka shtuar sulmet ndaj porteve dhe anijeve ukrainase në Detin e Zi, duke kufizuar ndjeshëm aftësinë e Ukrainës për t’u shitur drithëra klientëve të saj në tregjet botërore, mes të cilëve Egjipti, Algjeria, Tunizia, Jemeni dhe Indonezia.
Kievi është përgjigjur në të njëjtën mënyrë, duke ndërmarrë sulme me dronë dhe raketa ndaj anijeve dhe qendrave ruse.
Përshkallëzimi ka përkuar me kulmin e sezonit të korrjeve në Ukrainë dhe ka bërë që sasi të mëdha misri, elbi dhe gruri të grumbullohen brenda vendit.
Përpara rikthimit të sulmeve, Ukraina eksportonte çdo muaj 6 milionë tonë produkte bujqësore dhe çeliku përmes tre porteve: Odesa, Chornomorsk dhe Pivdenny.
Aktualisht tregton rreth 4.5 milionë tonë përmes rrugëve alternative, ndërsa operatorët mbeten të rezervuar për të ndërmarrë udhëtimin e rrezikshëm përmes detit.
Por këto rrugë, të njohura edhe si “korridoret e solidaritetit”, nuk përfitojnë më nga regjimi pa tarifa, të cilin Brukseli e hoqi pas kundërshtimeve nga vendet e Evropës Lindore.
Një prej tyre, që lidh eksportet ukrainase me portin e Konstancës në Rumani përmes Danubit, po përballet këtë verë me një thatësirë të paprecedentë.
Bukureshti ka diskutuar me Kievin mundësi logjistike për të rritur tranzitin përmes korridoreve të solidaritetit, tha në Irlandë ministrja e Jashtme rumune Oana-Silvia Țoiu, duke shprehur shqetësim për rritjen e vazhdueshme të çmimeve globale të ushqimeve.
“Është një instrument thelbësor për të mundësuar akses të përshtatshëm në drithëra me çmime të përballueshme në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën”, tha ajo.
Homologu i saj ukrainas, Andrii Sybiha, i cili gjithashtu mori pjesë në takim, u kërkoi evropianëve të ushtrojnë “presion” mbi Rusinë për të arritur një armëpushim të plotë në Detin e Zi.
Sybiha tha se rrugët alternative nuk do të mund t’i “kompensojnë kurrë plotësisht” eksportet përmes detit.
Bllokimi pothuajse i plotë i porteve ka vënë nën presion fermerët vendas, duke rritur kostot e transportit, duke ulur çmimet në tregun e brendshëm dhe duke shtuar rrezikun e falimentimit, ndërsa nis një sezon i ri mbjelljesh. Kapacitetet e magazinimit nuk janë të mjaftueshme për prodhimet e tepërta.
Edhe industria e çelikut është prekur negativisht.
Për Kievin, një prej eksportuesve kryesorë të drithërave në botë, goditja financiare po rëndohet edhe më shumë nga përshkallëzimi i përgjithshëm i sulmeve ruse, përfshirë goditjet e pandërprera me dronë, të cilat synojnë të përhapin frikë mes civilëve dhe të pengojnë aktivitetin ekonomik në qytete.
Ukraina u ka kërkuar tashmë aleatëve ndihmë për të mbuluar një deficit prej 23 miliardë eurosh, boshllëk që bllokada e Detit të Zi rrezikon ta zgjerojë ndërsa të ardhurat publike bien.
Vendet e BE-së po shqyrtojnë aktualisht mundësinë për të ndryshuar afatet e huasë së mbështetjes prej 90 miliardë eurosh, në mënyrë që një pjesë e fondeve të planifikuara për vitin 2027 të disbursohen më herët.
Por një veprim i tillë do të nënkuptonte më pak para për vitin e ardhshëm dhe rrezik për një ndërprerje të ndihmës.
Ndërkohë, një grup vendesh po përpiqen të rikthejnë idenë e përdorimit të 210 miliardë eurove të aseteve ruse të immobilizuara, por Komisioni Evropian ngurron të rihapë këtë debat të diskutueshëm. Belgjika, ku mbahet pjesa më e madhe e këtyre aseteve, është fuqishëm kundër.
Bllokada e Detit të Zi paraqet edhe rreziqe globale. Mungesa e drithërave mund të rrisë inflacionin në vendet në zhvillim, të ushqejë pakënaqësinë sociale dhe të nxisë migracionin drejt Evropës.
Në Egjipt, një prej klientëve kryesorë të Ukrainës, çmimi i bukës ndiqet me shumë vëmendje.
Migracioni prej kohësh është një nga çështjet më të debatueshme në Evropë, por diskutimi është bërë edhe më i ashpër pas krizës në Ceuta të Spanjës, kur më shumë se 80 mijë persona kaluan kufirin nga Maroku në një fluks masiv.
Këto frikë rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi vendet evropiane, të cilat e kanë akuzuar vazhdimisht Rusinë se po përdor zinxhirët e furnizimit me ushqime si armë për të dobësuar simpatinë dhe mbështetjen ndaj Ukrainës.
“Opinioni publik po lodhet nga kjo mbështetje”, tha Prévot në Irlandë, “por ajo mbetet më thelbësore se kurrë”. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
