Nga Enio Civici për ekofin.al
“Price Watch Albania” niset nga një ide e drejtë ekonomikisht. Kur konsumatori nuk e di lehtësisht ku një produkt kushton më lirë, ai nuk mund të bëjë zgjedhjen optimale, dhe kjo dobëson vetë mekanizmin që e bën konkurrencën efektive. Në gjuhën e ekonomisë, kjo quhet asimetri informacioni, blerësi ka më pak informacion se shitësi, dhe kur ky boshllëk mbyllet, tregu funksionon më afër idealit të konkurrencës së plotë. Pra si parim, transparenca e çmimeve nuk është ndërhyrje artificiale në treg, është një korrigjim që e bën tregun të punojë siç duhet të punojë vetë.
Mendoj se që kjo platformë të funksionojë vërtet, duhet të plotësohen disa kushte specifike.
Deri tani dimë se nisma do të gjejë “hallkën” që shumëfishon çmimin nga prodhuesi te rafti. Por kjo është pikërisht puna që bëjnë institucionet ekzistuese të shtetit. Tatimet kanë akses te çdo faturë fiskale të çdo transaksioni. Doganat dinë saktësisht çmimin me të cilin hyn një mall në vend. Inspektorati i Tregut ka mandat ligjor kontrolli direkt mbi bizneset. Këto tri institucione, të bashkuara, kanë tashmë gjithë informacionin e nevojshëm për të rindërtuar zinxhirin e vlerës dhe për të identifikuar ku fitohet tepër.
Gjithashtu, ne dimë se do të ketë dy nivele operimi të platformës që kërkojnë kompetenca krejt të ndryshme, zbulimi i abuzimit kërkon fuqi ligjore hetimi dhe sanksion, ndërsa informimi i konsumatorit kërkon thjesht të dhëna të hapura e të krahasueshme. Siç është konceptuar deri në këtë moment, me sa dimë, platforma mbulon realisht vetëm nivelin e dytë, duke rrezikuar t’ia lërë barrën e “gjetjes së abuzuesit” qytetarit të thjeshtë. Kjo zgjidhet duke paracaktuar sanksionet apo proceset që aktivizohen në rast abuzimi, në mënyrë që platforma të mos mbetet vetëm një ekspozim publik pa pasojë, por të lidhet realisht me përgjegjësinë që mbetet e shtetit.
Ka edhe një efekt të dytë ekonomik që vlen të theksohet. Kur shteti vetë e drejton mesazhin publik drejt “gjetjes së abuzuesit” në vend që thjesht të publikojë çmime si fakt neutral, nisma nuk është më thjesht transparencë tregu, bëhet një formë presioni moral mbi biznese. Prandaj platforma duhet të shoqërohet me një proces të qartë ligjor dhe sanksione të paracaktuara, në mënyrë që të mos bëhet mjet presioni pa bazë, por instrument me pasoja të parashikueshme e të drejta për të gjithë. Pa këtë kuadër, sjellja e bizneseve mund të ndryshojë jo nga presioni real i konkurrencës, por nga frika e shënjestrës publike, çka është një formë e butë ndërhyrjeje, edhe pse jo zyrtare.
Së fundi, suksesi i vërtetë i një nisme të tillë varet nga dy kushte që shpesh neglizhohen, përdorimi masiv nga publiku, dhe lidhja me pasoja reale zbatuese pas identifikimit të problemit.
Eksperienca e vendeve të tjera na jep disa mësime në lidhje me këtë nismë. Greqia ka nisur këtë vit një platformë të ngjashme, “PosoKanei”, ndërsa Sllovakia ka një model paralel me raportim ditor nga zinxhirët kryesorë, të dyja ende shumë të reja për t’u gjykuar përfundimisht. Izraeli ofron modelin më të pjekur, që nga 2014 shteti detyroi me ligj vetëm hapjen e të dhënave, ndërsa mjetet krahasuese i ndërtoi sektori privat, një ndarje efiçente rolesh që mund të ishte udhërrëfyes edhe për ne. Austria, në anën tjetër, e provoi të njëjtën gjë në 2023 dhe e braktisi kur sektori privat e ndërtoi vetë më shpejt. Ndërsa një analizë e Komisionit Evropian gjeti se çmimet nuk ranë realisht pas këtyre platformave, kryesisht sepse pak njerëz i përdorën.
Si përfundim, them se jemi para një nisme të re, në një situatë të re asimetrie informacioni në tregun shqiptar. Është një instrument pozitiv në parim, por i komplikuar për t’u zbatuar mirë, dhe suksesi i tij do të varet tërësisht nga kushtet që e shoqërojnë, jo nga vetë ideja e platformës.
