Nga 1 janari 2027, artistët performues të institucioneve publike që plotësojnë kriteret e moshës dhe viteve të punës do të mund të përfitojnë një trajtim financiar nga shteti pas përfundimit të karrierës skenike dhe deri në momentin kur fitojnë të drejtën për pension.
Një projektligj i ri i publikuar në konsultim synon të krijojë një skemë të posaçme për artistët profesionistë të skenës, duke marrë në konsideratë natyrën e veçantë të profesioneve që kërkojnë angazhim fizik ose vokal dhe që, sipas projektligjit, kanë një periudhë më të kufizuar të ushtrimit profesional.
Skema nuk parashikon pension të parakohshëm, por një trajtim financiar ndërmjetës, që aktivizohet pas përfundimit të marrëdhënies së punës dhe vijon deri në lindjen e së drejtës për pension pleqërie, invaliditeti ose familjar.
70% e pagës për pesë vitet e para
Pika më e rëndësishme financiare e projektligjit është masa e përfitimit. Për pesë vitet e para nga fillimi i skemës, artisti do të marrë 70% të pagës bruto mujore që ka përfituar në muajin e fundit të marrëdhënies së punës.
Pas përfundimit të këtyre pesë viteve, skema ndryshon. Përfitimi do të jetë 50% e pagës neto mujore të referencës për profesionin dhe kategorinë përkatëse, sipas përcaktimeve që do të bëhen në zbatim të legjislacionit.
Pagesa vazhdon deri në momentin kur lind e drejta për pension. Në atë pikë, trajtimi financiar ndërpritet dhe përfituesi kalon në skemën përkatëse të sigurimeve shoqërore.
Një element me rëndësi është se periudha gjatë së cilës artisti merr këtë trajtim financiar njihet si periudhë sigurimi për efekt pensioni. Për këtë periudhë, kontributet shoqërore dhe shëndetësore nuk do të rëndojnë mbi artistin, por do të përballohen nga Buxheti i Shtetit.
Kush përfshihet në skemë?
Projektligji nuk e shtrin përfitimin te të gjithë punonjësit e artit dhe kulturës. Ai kufizohet te profesionet artistike performuese që ushtrohen drejtpërdrejt në skenë në kuadër të një marrëdhënieje pune me një institucion publik të artit dhe kulturës.
Në kategorinë e interpretimit fizik në skenë përfshihen, akrobatët, balerinët dhe valltarët.
Ndërsa në kategorinë e interpretimit vokal në skenë përfshihen këngëtarët-solistë lirikë dhe këngëtarët-koristë.
Lista përfundimtare e institucioneve publike dhe mënyra se si do të dokumentohen vitet e performancës skenike do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Tre kategori, tre pragje përfitimi
Projektligji vendos kritere të ndryshme, në varësi të profesionit.
Për akrobatët, balerinët dhe valltarët, e drejta për trajtim financiar lind kur artisti ka mbushur 47 vjeç, ka të paktën 15 vite performancë skenike dhe të paktën 15 vite sigurim shoqëror.
Për këngëtarët lirikë-solistë, pragu është më i lartë: 57 vjeç, minimumi 20 vite performancë skenike dhe 20 vite sigurim shoqëror.
Ndërsa për këngëtarët lirikë-koristë, kërkohen 57 vjeç, të paktën 20 vite performancë skenike dhe 25 vite sigurim shoqëror.
Pra, skema e re nuk aktivizohet automatikisht vetëm për shkak të moshës. Përfituesi duhet të plotësojë njëkohësisht kriteret e moshës, eksperiencës së dokumentuar skenike dhe periudhës së sigurimit.
Largimi nga puna bëhet pjesë e skemës
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është mënyra se si lidhet përfundimi i karrierës skenike me të drejtën për trajtim financiar.
Kur artisti plotëson kriteret, institucioni publik ku ai punon ka detyrimin të nisë procedurën për kalimin në skemë. Plotësimi i kushteve përbën një shkak të posaçëm ligjor për përfundimin e marrëdhënies së punës, ndërsa institucioni duhet të respektojë garancitë procedurale të punëmarrësit.
Institucioni duhet ta njoftojë artistin me shkrim për plotësimin e kushteve, procedurën që duhet ndjekur, dokumentacionin dhe afatet.
Vetë artisti nuk do të ketë nevojë të presë domosdoshmërisht një kërkesë administrative për të nisur procesin. Projektligji parashikon që institucioni publik identifikon kryesisht punonjësit që plotësojnë kriteret dhe nis procedurën e verifikimit.
Nuk humbet periudha për pension
Skema është projektuar si një urë financiare midis përfundimit të aktivitetit skenik dhe pensionit.
Gjatë kësaj periudhe, artisti vazhdon të jetë i mbuluar në aspektin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Buxheti i Shtetit do të financojë kontributet, të cilat do të llogariten mbi pagën bruto të referencës për profesionin dhe kategorinë përkatëse.
Kjo do të thotë se largimi nga skena nuk krijon një boshllëk në historikun e sigurimeve të artistit.
Përfitimi gjithashtu nuk cenon të drejtën e ardhshme për pension pleqërie, invaliditeti apo familjar.
Shteti do të financojë edhe kontributet
Kostoja e skemës nuk kufizohet vetëm te pagesa mujore që do t’u jepet artistëve. Projektligji përcakton se Buxheti i Shtetit do të përballojë edhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore gjatë gjithë periudhës së përfitimit.
Mënyra konkrete e llogaritjes, administrimit dhe pagesës do të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave.
Po ashtu, qeveria do të përcaktojë institucionin që do të jetë përgjegjës për administrimin e pagesave dhe mënyrën e bashkëpunimit me Institutin e Sigurimeve Shoqërore.
Institucionet do të shkëmbejnë informacion çdo gjashtë muaj për të verifikuar nëse përfituesi ka fituar të drejtën për pension apo nëse ekziston ndonjë shkak tjetër për ndërprerjen e pagesës.
250 orë në vit angazhim për artin
Projektligji nuk e shkëput plotësisht artistin nga institucionet dhe aktiviteti kulturor pas daljes nga skena.
Përfituesit mund të angazhohen, me kërkesë të institucionit publik të artit dhe kulturës, deri në 250 orë në vit kalendarik, pa shpërblim shtesë.
Angazhimi mund të jetë në aktivitete trajnuese, promovuese, artistike, kulturore dhe mentorim profesional.
Megjithatë, ky angazhim nuk konsiderohet marrëdhënie pune dhe nuk mund të përdoret për t’i kërkuar artistit të vijojë rregullisht profesionin skenik për të cilin ai ka përfituar trajtimin financiar.
Në këtë mënyrë, skema synon të ruajë edhe një lidhje profesionale midis artistëve me eksperiencë dhe brezit të ri, duke e shndërruar përvojën e tyre në një burim trajnimi dhe mentorimi.
E drejta nuk parashkruhet
Një tjetër garanci e parashikuar në projektligj është se e drejta për trajtimin financiar nuk parashkruhet.
Nëse një person plotëson kushtet, por për arsye të ndryshme nuk kalon menjëherë në skemë, e drejta nuk humbet për shkak të kalimit të kohës.
Nga ana tjetër, nëse konstatohet se përfitimi është marrë mbi bazën e dokumenteve ose deklarimeve të pavërteta, pagesa ndërpritet dhe shumat e marra padrejtësisht duhet të kthehen sipas legjislacionit në fuqi.
Përfituesi mund të kërkojë edhe vetë ndërprerjen e pagesës, pa humbur periudhat e sigurimit që i janë njohur gjatë qëndrimit në skemë. /ekofin.al
