Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka regjistruar 1 milion e 717 mijë pasagjerë vetëm gjatë muajit gusht, një tjetër tregues i rritjes së fortë të flukseve turistike drejt Shqipërisë.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e cilëson këtë shifër si dëshmi të konsolidimit të Shqipërisë si destinacion turistik.
“Një shifër që flet qartë për Shqipërinë turistike që po konsolidojmë dhe për interesin gjithnjë e më të madh të vizitorëve të huaj për vendin tonë”, shprehet Gonxhja.
Një tjetër rekord u shënua më 17 gusht, kur aeroporti përpunoi mbi 60 mijë pasagjerë dhe 326 fluturime në vetëm një ditë.
Shifrat e gushtit vijnë pas një korriku me afro 1.65 milionë pasagjerë, 28.1% më shumë se një vit më parë.
Sipas Gonxhes, edhe vlerësimet europiane e konfirmojnë këtë ecuri, duke e renditur Tiranën ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në kategorinë e aeroporteve të mëdha.
“Më shumë lidhje ajrore do të thotë më shumë mundësi për turizmin, më shumë zhvillim për ekonomitë lokale dhe një Shqipëri më të hapur, më të aksesueshme dhe më konkurruese në tregun ndërkombëtar të turizmit”, thekson ministri.
Por, sipas tij, rritja sjell edhe përgjegjësinë për të vijuar punën për një turizëm cilësor, të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor, në mënyrë që interesi në rritje për Shqipërinë të përkthehet në zhvillim dhe mirëqenie për komunitetet lokale.
