Qeveria ka rishikuar brenda vitit buxhetin e shërbimit spitalor për 2026, duke e rritur fondin total me 1.946 miliardë lekë, por ndryshimi më i madh është në mënyrën se si shpërndahen paratë. Nga krahasimi i të dhënave të janarit dhe gushtit rezulton se fondet e alokuara drejtpërdrejt për institucionet spitalore rriten me rreth 6.57 miliardë lekë, ose 22.5%, ndërsa reduktohen ndjeshëm rezerva dhe disa zëra të tjerë të mbajtur të centralizuar.
Nga vendimi nr. 651, datë 27 gusht 2026, i Këshillit të Ministrave rezulton se përfituesja kryesore nga rishikimi është Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Buxheti i QSUT rritet nga 9.1 miliardë lekë në fillim të vitit në 13.06 miliardë lekë, ose rreth 3.95 miliardë lekë më shumë. Rritja është 43.4%, duke bërë që vetëm QSUT të marrë pjesën më të madhe të fondeve shtesë të shpërndara drejtpërdrejt te spitalet.
Rritje e fortë është parashikuar edhe për Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, buxheti i të cilit kalon nga 1.4 miliardë në 1.93 miliardë lekë, me një shtesë prej rreth 529.5 milionë lekësh, ose 37.6%. Spitali Universitar i Traumës merr 185.5 milionë lekë më shumë, duke e çuar buxhetin nga 704.9 milionë në 890.4 milionë lekë, një rritje prej 26.3%.
Ndër spitalet e tjera, Shkodrës i shtohen 215.5 milionë lekë, duke e çuar buxhetin në 1.621 miliardë lekë, ndërsa Spitali “Memorial” në Fier përfiton rreth 154 milionë lekë shtesë, me buxhetin që rritet nga 900 milionë në 1.054 miliardë lekë. SUOGJ “Koço Gliozheni” merr rreth 147.2 milionë lekë më shumë, Durrësi rreth 145.9 milionë lekë, Elbasani 117.2 milionë lekë, ndërsa SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” rreth 103.7 milionë lekë shtesë.
Kavaja rezulton me një buxhet prej 52.6 milionë lekësh.
Fondi total rritet 5.2%, por buxhetet direkte të spitaleve 22.5%
Në total, buxheti i shërbimit spitalor kalon nga 37.37 miliardë lekë në vendimin e janarit në 39.32 miliardë lekë pas rishikimit të gushtit. Shtesa reale në fondin e përgjithshëm është kështu 1.94 miliardë lekë, ose rreth 5.2%.
Përllogaritja e të dhënave për spitalet tregon një ndryshim shumë më të madh. Fondet e shpërndara për spitalet rriten nga rreth 29.19 miliardë lekë në 35.75 miliardë lekë, pra me 6.56 miliardë lekë ose 22.5%. Diferenca shpjegohet nga zhvendosja e fondeve që në fillim të vitit ishin parashikuar në rezerva, paketa shërbimesh dhe zëra të tjerë të centralizuar.
Vetëm zëri “Paketat e shërbimeve” ulet nga rreth 3.6 miliardë lekë në 1.72 miliardë lekë, pra me rreth 1.87 miliardë lekë. Ndërkohë, rreshti i rezervës, që në tabelën fillestare arrinte në rreth 3.03 miliardë lekë, zbret në 401.4 milionë lekë në tabelën e re.
Rishikimi ndryshon dukshëm edhe strukturën e shpenzimeve. Fondi i përgjithshëm në artikullin 602, ku përfshihen shpenzime për mallra dhe shërbime, rritet nga rreth 7.86 miliardë në 12.93 miliardë lekë, ose me mbi 5 miliardë lekë. Në të kundërt, fondi i artikullit 604 reduktohet nga rreth 7.547 miliardë në 5.84 miliardë lekë./ekofin.al

