Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%, duke vlerësuar se ekonomia shqiptare vijon të rritet me ritme të qëndrueshme, ndërsa inflacioni mbetet nën kontroll, pavarësisht presioneve të ardhura nga rritja e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Guvernatori Gent Sejko, në konferencën për shtyp pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, theksoi se zhvillimet e tremujorit të dytë ishin në përputhje me pritjet e Bankës së Shqipërisë, ndërsa politika monetare aktuale vijon të krijojë kushte të favorshme për rritje ekonomike dhe stabilitet financiar.
Inflacioni mesatar gjatë tremujorit të dytë arriti në 3%, duke u rritur krahasuar me tremujorin e parë. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky zhvillim u ndikua kryesisht nga rritja e çmimeve të transportit, ushqimeve të papërpunuara dhe disa shërbimeve, si pasojë e shtrenjtimit të naftës dhe produkteve energjetike në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, efekti është zbutur pjesërisht nga forcimi i lekut, ndërsa inflacioni vazhdon të mbetet pranë objektivit të bankës qendrore.
Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet e brendshme inflacioniste mbeten të kontrolluara dhe se rritja e inflacionit të qirave, që ka ndikuar në indeksin e përgjithshëm të çmimeve, pritet të ketë karakter kalimtar.
Në analizën e saj, Banka e Shqipërisë evidenton se ekonomia shqiptare vijon të mbështetet nga kërkesa e fortë e brendshme, të ardhurat nga turizmi, bilancet e shëndosha të bizneseve dhe familjeve, si dhe kushtet e favorshme të financimit. Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia u rrit me 3.7% në tremujorin e parë të vitit, ndërsa treguesit indirektë tregojnë se edhe tremujori i dytë ka ruajtur ritme solide, megjithëse disi më të ulëta.
Një tjetër element pozitiv mbetet ecuria e kreditimit. Portofoli i kredisë për sektorin privat u zgjerua me rreth 14% në tremujorin e dytë, i mbështetur kryesisht nga kreditë për investimet e bizneseve dhe blerjen e banesave nga familjet. Banka thekson gjithashtu se kreditimi në lekë po fiton gjithnjë e më shumë peshë, ndërsa raporti i kredive me probleme vijon të bjerë.
Në parashikimet e përditësuara, Banka e Shqipërisë pret që ekonomia të vazhdojë të rritet edhe gjatë viteve në vijim, ndonëse me ritme disi më të moderuara. Inflacioni parashikohet të mbetet lehtësisht mbi objektivin 3% në afatin e shkurtër, për shkak të efekteve të vazhdueshme të rritjes së çmimeve ndërkombëtare dhe inflacionit të qirave, për t’u kthyer gradualisht drejt objektivit në afatin e mesëm.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë paralajmëron se tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme vijojnë të përbëjnë rrezikun kryesor për ekonominë globale dhe atë shqiptare. Sipas saj, një përshkallëzim i mëtejshëm mund të rrisë presionet inflacioniste dhe njëkohësisht të ngadalësojë rritjen ekonomike.
Në këto kushte, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të lërë të pandryshuara të tre normat kryesore të interesit: normën bazë në 2.5%, normën e depozitës njëditore në 1.5% dhe normën e kredisë njëditore në 3.5%.
Banka e Shqipërisë thekson se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv, ndërsa nënvizon se do të monitorojë me kujdes zhvillimet ekonomike dhe është e gatshme të ndërhyjë në çdo moment, nëse rreziqet për stabilitetin e çmimeve do ta kërkojnë këtë./ekofin.al
