Një platformë e re digjitale, PosoKanei, e cila u lejon konsumatorëve në Greqi të kërkojnë dhe të krahasojnë çmimet e rreth 10 mijë produkteve të supermarketeve, iu prezantua këtë javë kryeministrit grek Kiriakos Micotakis dhe mediave.
Të dhënat e platformës përditësohen çdo ditë, duke u mundësuar përdoruesve të krahasojnë çmimet në kohë reale si brenda Greqisë, ashtu edhe me vende të tjera evropiane, veçanërisht për produktet e shitura nga kompani shumëkombëshe.
Aplikacioni ofron gjithashtu të paktën dy muaj histori çmimesh për çdo produkt, duke u dhënë konsumatorëve mundësinë të identifikojnë ulje çmimesh ose oferta speciale që mund të jenë mashtruese.
“ Konsumatori grek po fiton një tjetër armë në luftën kundër inflacionit dhe rritjes së kostos së jetesës”, deklaroi Micotakis gjatë prezantimit, duke shtuar se çmimet e pajustifikueshme më të larta krahasuar me tregjet e tjera të Bashkimit Evropian nuk duhet të tolerohen.
Inflacioni në Greqi arriti në 5% në muajin maj, duke mbetur ndër më të lartët në eurozonë, ndërsa shumë familje vazhdojnë të përballen me presionin e rritjes së kostove të jetesës.
Aktualisht, platforma u lejon përdoruesve të krahasojnë çmimet e produkteve të shitura nga zinxhirët e supermarketeve Galaksias, Sklavenitis, Halkiadakis, Sinka, Masutis, Mai Market, AB Vasilopulos, Kritikos, Market In dhe Lidl.
Përdoruesit mund të krijojnë gjithashtu lista të personalizuara blerjesh dhe të kërkojnë produkte brenda së njëjtës kategori, si kafe apo makarona, bazuar në çmimin dhe disponueshmërinë në zinxhirë të ndryshëm supermarketesh.
Aplikacioni sugjeron alternativa më të lira brenda së njëjtës kategori, duke i ndihmuar blerësit të ulin koston totale të shportës së tyre.
Kur i njëjti produkt është i disponueshëm në rrjete tregtare evropiane, shfaqen edhe çmimet përkatëse nga jashtë vendit. Vendet që mbulohen aktualisht janë Italia, Franca, Belgjika, Rumania, Bullgaria, Qiproja dhe Spanja, ndërsa Portugalia pritet të shtohet së shpejti.
Aplikacioni zëvendëson platformën e mëparshme e-Katanalotis (Konsumatori Elektronik), e lançuar disa vite më parë. Sipas qeverisë greke, ai do të vazhdojë të zhvillohet bazuar në përvojën dhe sugjerimet e përdoruesve. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
