Çmimet e larta të naftës dhe gazit, si edhe problemet në furnizimin me energji, nuk do të zgjidhen menjëherë, pavarësisht marrëveshjes të së dielës për t’i dhënë fund luftës me Iranin dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit.
Sipas ekspertëve të energjisë, mund të duhen muaj përpara se kompanitë energjetike të rifillojnë plotësisht operacionet dhe të përmbushin kërkesën globale. Ata theksojnë se procesi i transportimit dhe përpunimit të naftës së papërpunuar është i ngadaltë, ndërsa pasiguria për kalimin e sigurt nëpër ngushticë do të thotë se lehtësimi i situatës nuk do të jetë i menjëhershëm.
Anije të ngarkuara me naftë të papërpunuar kanë mbetur të bllokuara në Gjirin Persik për më shumë se tre muaj, pasi nuk kanë mundur të kalojnë në mënyrë të sigurt përmes kësaj rruge detare, nga e cila zakonisht kalonte rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë dhe benzinë përpara fillimit të luftës.
“Do të duhet kohë që njerëzit të ndihen të sigurt dhe që të sigurohen mbulimet e nevojshme të sigurimit … veçanërisht për të rikthyer personelin në terren dhe për të vënë sërish në funksion disa prej këtyre aseteve,” tha Daniel Evans, drejtues global i kërkimeve për karburantet dhe rafinimin në S&P Global Energy.
Megjithatë, çmimet e naftës ranë në orët e para të së hënës pas shpalljes së marrëveshjes.
Nafta Brent, standardi ndërkombëtar, ra me 3.45 dollarë, duke arritur në 83.89 dollarë për fuçi. Ndërkohë, nafta amerikane ra me 4.03 dollarë, në 80.85 dollarë për fuçi.
Megjithatë, këto çmime mbeten dukshëm më të larta se niveli prej rreth 70 dollarësh për fuçi, ku tregtohej nafta para fillimit të luftës.
Sipas Evans, ndërsa çmimet fillojnë të normalizohen, anijet që kanë mbetur të bllokuara do të duhet të largohen nga ngushtica dhe më pas cisterna të reja do të duhet të hyjnë për t’u ngarkuar.
“Për të sjellë një anije brenda, duhet të jesh i sigurt se ekziston një periudhë mjaftueshëm e gjatë sigurie për ta futur, ngarkuar dhe nxjerrë përsëri,” shtoi ai.
Ai shpjegoi gjithashtu se cisternat e naftës lëvizin ngadalë. U duhen muaj për të udhëtuar nga ngushtica drejt vendeve të largëta, për të dorëzuar naftën në rafineri për përpunim dhe më pas për ta çuar produktin në destinacionin përfundimtar.
Përveç kësaj, disa prodhues në Lindjen e Mesme ndërprenë përkohësisht nxjerrjen e naftës kur kapacitetet e magazinimit u mbushën. Rifillimi i këtyre operacioneve mund të jetë një proces i ngadaltë.
Sipas Alan Gelder, nënkryetar i lartë për rafinimin, kimikatet dhe tregjet e naftës në Wood Mackenzie, vende si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë tubacione dhe rrugë alternative për eksportin e naftës përveç Ngushticës së Hormuzit, mund të jenë ndër të parat që do të rikthejnë prodhimin normal.
“Por vende si Iraku mund të përballen me më shumë vështirësi, sepse kanë pasur ndërprerje shumë më të mëdha të prodhimit dhe fushat e tyre naftëmbajtëse janë më të ndërlikuara … mund të duhet afërsisht një vit për t’u rikthyer plotësisht,” tha ai.
Gelder shtoi se investimet në sektorin energjetik, rezultatet e të cilave zakonisht kërkojnë vite për t’u materializuar, u ndalën pothuajse plotësisht pas mbylljes së ngushticës. Për këtë arsye, do të duhet kohë që kapitali dhe projektet e pezulluara të rifillojnë.
Daniel Sternoff, studiues i lartë në Qendrën për Politikën Globale të Energjisë në Universitetin Columbia, tha se vendet që ndërprenë prodhimin nuk do të nxitojnë ta rifillojnë atë derisa të kenë siguri se situata në Ngushticën e Hormuzit është e qëndrueshme dhe se armëpushimi do të zgjasë më shumë se 30 apo 60 ditë.
“Ne ende nuk e dimë saktësisht se çfarë nënkupton ‘hapja’ e ngushticës apo sa shpejt do të mund të largohen ngarkesat që kanë mbetur të bllokuara,” përfundoi ai./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
