Sektori bankar, qeveria dhe AKSHI synojnë të shtyjnë përpara integrimin e sistemeve bankare me platformën e-Albania dhe regjistrat shtetërorë. Nëse kjo nismë konkretizohet, qytetarët mund të mos kenë më nevojë të paraqesin një sërë dokumentesh fizike kur aplikojnë për kredi, hapin një llogari bankare apo marrin shërbime financiare.
Ky ishte fokusi kryesor i workshop-it “Digjitalizimi, Shërbimet Publike dhe Bankat Tregtare”, organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), me pjesëmarrjen e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, Drejtorit të Përgjithshëm të AKSHI-t, Igli Tafa, si dhe drejtuesve të bankave tregtare.
Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Spiro Brumbulli, e cilësoi bashkëpunimin mes bankave, AKSHI-t dhe Ministrisë së Ekonomisë si një mekanizëm të rëndësishëm për përshpejtimin e transformimit digjital të shërbimeve. Sipas tij, bankat shqiptare tashmë ofrojnë pagesën e një numri të konsiderueshëm shërbimesh publike dhe po punojnë për zgjerimin e mëtejshëm të tyre, me synimin që qytetarët të marrin sa më shumë shërbime nëpërmjet kanaleve bankare dhe platformave digjitale.
Brumbulli theksoi se bashkëpunimi i strukturuar ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit bankar është thelbësor për të koordinuar projektet në zhvillim dhe për të shmangur vonesat që mund të pengojnë modernizimin e shërbimeve.
Por elementi më i rëndësishëm i diskutuar gjatë takimit ishte vizioni i qeverisë për krijimin e një modeli të ri ndërveprimi mes bankave dhe shtetit. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi objektivin për ndërtimin e një sistemi të centralizuar, ku bankat të kenë mundësi të aksesojnë të dhënat shtetërore përmes një mekanizmi të vetëm, pa qenë e nevojshme lidhja e marrëveshjeve individuale me secilin institucion publik që administron regjistra dhe databaza.
Sipas Ibrahimajt, një qasje e tillë do të reduktonte ndjeshëm procedurat administrative, do të rriste efikasitetin dhe do të përshpejtonte ofrimin e shërbimeve si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Në praktikë, kjo do të thotë se bankat do të mund të marrin automatikisht dokumente dhe informacione që sot kërkohen nga klientët në formë fizike, gjithmonë me pëlqimin e tyre dhe në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Një nga konceptet kryesore të prezantuara ishte modeli “vetëm një herë” (Once Only Principle), i cili po zbatohet gjithnjë e më shumë në vendet e Bashkimit Evropian. Ky model parashikon që qytetari ose biznesi të mos detyrohet të paraqesë të njëjtin dokument në institucione të ndryshme, pasi informacioni duhet të shkëmbehet automatikisht mes sistemeve shtetërore dhe institucioneve të autorizuara.
Nëse ky model zbatohet plotësisht, procedura që sot kërkojnë certifikata familjare, vërtetime adrese, dokumente të gjendjes civile apo dokumente të tjera administrative mund të kryhen pa asnjë dokument fizik, pasi informacioni do të merret direkt nga regjistrat shtetërorë.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i AKSHI-t, Igli Tafa, theksoi se suksesi i platformës e-Albania duhet të zgjerohet edhe në sektorin financiar dhe bankar. Sipas tij, objektivi është krijimi i flukseve të integruara të punës, ku qytetarët të mos detyrohen të kalojnë nga një platformë në tjetrën apo nga një institucion në tjetrin për të përfunduar një procedurë.
Përfitimet e këtij integrimi nuk kufizohen vetëm te dokumentacioni. Gjatë workshop-it u diskutua edhe zgjerimi i pagesave elektronike të shërbimeve publike dhe integrimi i tyre me infrastrukturat moderne të pagesave, përfshirë pagesat e menjëhershme (instant payments). Kjo do të mundësonte pagesa më të shpejta dhe konfirmime në kohë reale për taksa, tarifa, gjoba dhe shërbime të tjera publike.
Përfaqësuesit e industrisë bankare deklaruan se sektori ka investuar dhe vijon të investojë në infrastrukturën teknologjike të nevojshme për të mbështetur këtë transformim. Sipas tyre, reduktimi i proceseve manuale, rritja e ndërveprimit me regjistrat shtetërorë dhe automatizimi i proceseve do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e shërbimit për klientët. /ekofin.al
