Në bursë, lajmet kanë vlerë. Madje shpeshherë shumë më tepër sesa investimet që materializohen vite më vonë. Çdo njoftim për zgjerim aktiviteti, hyrje në tregje të reja apo partneritete strategjike për një kompani të listuar reflektohet pothuajse menjëherë në çmimin e aksioneve të saj. Investitorët blejnë pritshmëritë për fitimet e së ardhmes dhe jo vetëm rezultatet aktuale.
Kjo u pa qartë edhe të premten e kaluar, kur grupi Jumbo S.A. njoftoi arritjen e marrëveshjes së re me grupin shqiptar BALFIN për zgjerimin e markës Jumbo në gjashtë tregje të reja të Euroazisë.
Reagimi i tregut ishte i menjëhershëm.
Sipas të dhënave zyrtare të Bursës së Athinës, aksionet e Jumbo u rritën me afro 6 për qind brenda ditës, duke kaluar nga 22.2 euro në 23.5 euro për aksion. Kompania rezultoi performuesja më e mirë e ditës në tregun grek të kapitaleve.
Por pas kësaj lëvizjeje që në pamje të parë duket si një ndryshim i zakonshëm i çmimit të aksionit, fshihen shifra shumë më të mëdha.
Jumbo ka aktualisht 135.95 milionë aksione të listuara në bursë. Kjo do të thotë se kapitalizimi i tregut të kompanisë u rrit nga rreth 3.018 miliardë euro para njoftimit të marrëveshjes në rreth 3.194 miliardë euro pas publikimit të saj.
Me fjalë të tjera, tregu i shtoi kompanisë afro 176 milionë euro vlerë vetëm pas njoftimit të partneritetit të zgjeruar me BALFIN.
Në bursë, ky është një votëbesim i drejtpërdrejtë nga investitorët. Ata po blejnë pritshmërinë se marrëveshja do të gjenerojë më shumë të ardhura, më shumë fitime dhe më shumë dividendë për aksionarët në vitet e ardhshme.
Dhe koha nuk mund të ishte më domethënëse. Qershori është tradicionalisht periudha kur shumë kompani të listuara shpërndajnë dividendët për aksionarët e tyre. Kjo do të thotë se rritja e vlerës së tregut nuk mbetet thjesht një numër në ekranet e bursës, por përkthehet në pasuri më të madhe për aksionarët ekzistues dhe në pritshmëri më të larta për fitime të ardhshme.
Në këtë kuptim, marrëveshja mes Samir Manes dhe Apostolos-Evangelos Vakakis nuk është thjesht një zgjerim biznesi. Ajo ka krijuar menjëherë vlerë financiare për mijëra investitorë që zotërojnë aksione të Jumbo.
Marrëveshja i jep BALFIN-it të drejta ekskluzive për zhvillimin e markës Jumbo në Armeni, Azerbajxhan, Gjeorgji, Kazakistan, Ukrainë dhe Uzbekistan, duke zgjeruar ndjeshëm hartën gjeografike të bashkëpunimit mes dy grupeve.
Por rëndësia e saj shkon përtej hapjes së dyqaneve të reja.
Për herë të parë, BALFIN merr përsipër menaxhimin e plotë të zinxhirit të furnizimit për këto territore, nga furnizimi në Kinë deri te magazinimi, transporti dhe shpërndarja finale tek konsumatori. Për ta realizuar këtë, grupi shqiptar do të ndërtojë një infrastrukturë të re logjistike, me qendër operacionale në Kinë dhe rrjet magazinimi e shpërndarjeje në të gjithë rajonin.
“Zgjerimi i ekskluzivitetit tonë në Armeni, Azerbajxhan, Gjeorgji, Kazakistan, Ukrainë dhe Uzbekistan, dhe marrja e pronësisë së plotë të zinxhirit logjistik nga Kina deri te klienti përfundimtar, është një hap strategjik që e vendos BALFIN midis operatorëve më ambiciozë të shitjes me pakicë në rajon. Kjo pasqyron besimin që Jumbo S.A. ka tek ne dhe besimin tonë në potencialin e rritjes afatgjatë të këtyre tregjeve”, deklaroi Presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane.
Nga ana tjetër, themeluesi dhe kryetari i Jumbo S.A., Apostolos-Evangelos Vakakis, theksoi se performanca e BALFIN në tregjet ekzistuese ishte arsyeja kryesore që kompania greke vendosi t’i besojë partnerit shqiptar një territor shumë më të madh.
“Partneriteti ynë me BALFIN ka dhënë vazhdimisht rezultate të forta në çdo treg në të cilin operojmë së bashku. Performanca, profesionalizmi dhe disiplina operacionale e ekipit të BALFIN na kanë dhënë besim të plotë për t’u besuar atyre këtë territor dukshëm më të madh dhe menaxhimin e pavarur të zinxhirit të furnizimit,” deklaroi Vakakis.
Për investitorët, hyrja në gjashtë tregje të reja me potencial të madh rritjeje nënkupton perspektiva më të mira fitimi.
Dhe kjo është arsyeja pse një shtrëngim duarsh mes Samir Manes dhe Apostolos Vakakis nuk mbeti vetëm një foto korporative. Brenda pak orësh, ai u kthye në qindra milionë euro vlerë të re në bursë, duke dëshmuar se në ekonominë moderne, besimi i tregut është shpesh po aq i rëndësishëm sa edhe kapitali vetë.

