Operatori i telekomunikacionit Meo po padit shtetin portugez për 81.7 milionë euro dëmshpërblim pas përjashtimit të pajisjeve Huawei nga rrjetet 5G të Portugalisë, raportoi gazeta Público.
Media citon dokumente të publikuara në portalin Citius lidhur me procedurat gjyqësore të ngritura kundër Prokurorisë së Përgjithshme dhe Qendrës Juridike të Shtetit, të depozituara më 24 prill në Gjykatën Administrative të Lisbonës.
Meo, pjesë e grupit Altice Portugal, argumenton se është dëmtuar nga “vendimet administrative” të Komisionit të Vlerësimit të Sigurisë, i cili funksionon nën Këshillin e Lartë për Sigurinë në Hapësirën Kibernetike.
Kompania thotë se ka pësuar “dëme të veçanta dhe anormale” si rezultat i këtyre vendimeve.
Në qendër të çështjes është një rezolutë e miratuar nga komisioni në gjysmën e parë të vitit 2023, e cila paralajmëronte për “rrezikun e lartë” të përdorimit të pajisjeve nga furnitorë të vendosur jashtë BE-së, NATO-s ose OECD-së për sigurinë e rrjeteve kombëtare 5G — siç raportoi fillimisht agjencia e lajmeve Lusa.
Rezoluta zbatohej në rastet kur kuadri ligjor i vendit të origjinës së furnitorit i lejonte qeverisë së tij të ushtronte “kontroll, ndërhyrje ose presion” mbi aktivitetet e kompanisë jashtë vendit.
Rezoluta nuk përmendte drejtpërdrejt asnjë shtet apo kompani, por objektivi kryesor ishte Huawei — si në Portugali ashtu edhe në vende të tjera europiane ku u morën masa të ngjashme përjashtuese.
Sipas gazetës ekonomike ECO, teknologjia Huawei ishte përdorur gjerësisht nga Meo për ndërtimin e rrjetit të saj 5G, dhe vendimi e detyroi kompaninë të ristrukturonte atë pjesë të operacioneve të saj.
Vetë Huawei kishte ngritur më herët procedura administrative kundër kësaj rezolute në Gjykatën Administrative të Lisbonës në shtator 2023. Nëntë muaj më vonë, një zëdhënës i Komisionit të Vlerësimit të Sigurisë i tha agjencisë Lusa se çështja po ndiqte “rrjedhën e saj gjyqësore”.
Vendimi ka shkaktuar kritika në gjithë sektorin portugez të telekomunikacionit. Në nëntor 2023, drejtori ekzekutiv i Vodafone Portugal, Luís Lopes, i tha gazetës Expresso se masa e komisionit ishte më “agresive” sesa masat e zbatuara diku tjetër në Bashkimin Europian dhe për këtë arsye “jo veçanërisht e mirëvlerësuar”.
Edhe drejtori ekzekutiv i NOS, Miguel Almeida, shprehu të njëjtin mendim gjatë Kongresit të 33-të të Biznesit Digjital të APDC në maj 2024, duke deklaruar se rezoluta “shkon shumë përtej praktikës europiane për sa i përket gamës së komponentëve të rrjetit që mbulon.” /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
