Vendet kryesore prodhuese të naftës në OPEC+ pritet të bien dakord për një rritje modeste të prodhimit për muajin korrik, kur të mblidhen më 7 qershor, thanë katër burime, edhe pse furnizimet për disa prej tyre vijojnë të ndikohen nga lufta me Iranin.
Objektivi mujor i prodhimit për shtatë anëtarët kryesorë të OPEC+ pritet të rritet me rreth 188 mijë fuçi në ditë, thanë burimet.
OPEC+ e mbajti prodhimin të pandryshuar në tremujorin e parë të vitit 2026, por që nga prilli e ka rritur objektivin çdo muaj, pavarësisht luftës.
Shkalla e rritjes mujore është reduktuar që prej majit, pasi Emiratet e Bashkuara Arabe u larguan nga grupi.
Sipas analistëve dhe delegatëve, largimi i Emirateve ul ndikimin e grupit në treg, por mund të forcojë kohezionin e brendshëm të tij.
Zyrtarët e OPEC-ut, Arabisë Saudite dhe Rusisë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të Reuters për koment.
Prodhimi i naftës nga OPEC+ ra në 33.19 milionë fuçi në ditë në prill, nga 42.77 milionë fuçi në ditë që ishte në shkurt, sipas të dhënave të OPEC.
Prodhimi nga vendet e Gjirit ra me 9.9 milionë fuçi në ditë.
Një nga ndikimet më të rëndësishme të luftës është se mes eksportuesve të prekur janë edhe të vetmet vende të grupit që kanë kapacitete rezervë për të rritur prodhimin nëse është e nevojshme – Arabia Saudite, Iraku dhe Kuvajti, si dhe deri vonë Emiratet e Bashkuara Arabe.
Shtatë nga 21 anëtarët e OPEC+ që do të marrin pjesë në mbledhje janë Arabia Saudite, Iraku, Kuvajti, Algjeria, Kazakistani, Rusia dhe Omani.
Dy takime të tjera të OPEC+, gjithashtu të planifikuara për 7 qershor, nuk pritet të sjellin ndryshime në politikë, thanë burimet.
Një shkurtim i veçantë i prodhimit prej 2 milionë fuçi në ditë, i miratuar nga grupi në vitin 2022, pritet të mbetet në fuqi deri në fund të vitit 2026, megjithëse ai përfshinte edhe një ulje prej 160 mijë fuçi në ditë të ndarë për Emiratet e Bashkuara Arabe, që tashmë janë larguar nga grupi./Përshtati nga Reuters, ekofin.al
