Obligacioni me maturim 20-vjeçar u emetua për herë të parë me sukses, duke tërhequr interes të lartë nga investitorët e pranishëm në ankandin e zhvilluar nga Ministria e Financave.
Siç ishte njoftuar, shuma e planifikuar e emetimit ishte 1.5 miliardë lekë, ndërsa kërkesat e paraqitura arritën në 4.26 miliardë lekë. Në këtë rast, për shkak të bollëkut të ofertës, Financat e rritën shumën në 1.72 miliardë.
Kjo ndikoi edhe në mbajtjen e interesave të nivele relativisht të ulëta. Oligacioni u emetua me 6.78%, poshtë referencës prej 7% të vendosur nga Financat.
Sipas kalendarit të huamarrjes, ky instrument, i cili tashmë u testua me sukses edhe pas preferencave dhe kërkesave të investitorëve, kryesisht fondeve të pensioneve për investime më afatgjata, më të qëndrueshme dhe me përfitueshmëri më të lartë në Titujt e Borxhit të Qeverisë, do të rihapet në mars, ku parashikohet të emetohen 1 miliardë lekë.
Një emetim tjetër do të ketë sërish në qershor, me rihapjen e rradhës të parashikuar në shtator.
Rritja e afatit të maturitetit të titujve të borxhit është tregues i konsolidimit të borxhit të Qeverisë, i cili që këtë vit parashikohet të zbresë në nivelin 55%, ndërkohë që arriti në vitin 2021 nivelin më të lartë prej 74%. Përmirësimi i treguesve të borxhit solli edhe rritje për herë të parë të vlerësimit për Shqipërinë nga agjencitë e vlerësimit të kreditit, Standard&Poor’s dhe Moody’s. /ekofin.al
