Konferenca e 28-të Vjetore e Microfinance Centre ka nisur punimet në Durrës, duke mbledhur rreth 400 përfaqësues të industrisë së mikrofinancës, investitorë ndikimi dhe ekspertë nga 36 vende të botës, në një nga aktivitetet më të rëndësishme rajonale për financën gjithëpërfshirëse. E organizuar për herë të dytë në Shqipëri në dekadën e fundit, konferenca e këtij viti zhvillohet nën temën “Mikrofinanca në tranzicion: A është misioni në rrezik?”, duke reflektuar sfidat që po përjeton sektori në një periudhë transformimesh të shpejta teknologjike dhe ekonomike.
Dita e parë e konferencës u fokusua te financa e përgjegjshme, përfshirja financiare, tranzicioni digjital dhe financimi klimatik. Aktivitetet nisën me “Impact Investor’s Fair”, një platformë rrjetëzimi për investitorët e ndikimit, institucionet financiare dhe kompanitë e teknologjisë, ku morën pjesë përfaqësues të industrisë ndërkombëtare të mikrofinancës.
Një nga panelet kryesore të ditës ishte dialogu mbi financimin klimatik “Unlocking Climate Finance for MFIs in the ECA Region”, ku u diskutuan mundësitë që institucionet mikrofinanciare të përfitojnë nga fondet ndërkombëtare për projektet e gjelbra dhe mbështetjen e tranzicionit klimatik. Paralelisht, sesioni “Safeguarding Purpose”, i organizuar në bashkëpunim me Global Gender-Smart Fund, trajtoi rëndësinë e produkteve financiare me fokus gjinor dhe ruajtjen e misionit social të mikrofinancës në një treg gjithnjë e më konkurrues.
Në ceremoninë zyrtare të hapjes morën pjesë figura kyçe të sektorit financiar, mes tyre Zëvendësguvernatorja e Dytë e Banka e Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, Drejtorja Ekzekutive e NOA, Herjola Spahiu, si edhe CEO i FED Invest, Perlat Sulaj.
Kryetarja e Shoqatës Shqiptare të Mikrofinancës, Arlinda Muja, njëherësh Drejtore e Përgjithshme e Kredo.al, u shpreh se zhvillimi i konferencës për të dytin vit në Shqipëri përfaqëson një vlerësim për evolucionin që sektori ka pasur në tre dekadat e fundit.
“Mikrofinanca në Shqipëri ka një zhvillim thelbësor, prej 30 vitesh ndihmon bizneset e vogla dhe individët për një mirëqenie më të mirë. Sot mikrofinanca është lideri i zhvillimit digjital në Shqipëri dhe po ndihmon jo vetëm në edukimin financiar, por edhe atë digjital të shqiptarëve”, deklaroi Muja.
Sipas saj, roli i sektorit po njihet gjithnjë e më shumë edhe nga institucionet europiane, ndërsa direktivat që po përafrohen me legjislacionin shqiptar do të kenë fokus të veçantë mikrofinancën dhe ndikimin e saj në ekonominë vendase.
Nga ana tjetër, Zëvendësguvernatorja Natasha Ahmetaj u ndal te ndryshimet rregullative që ka kaluar sektori vitet e fundit dhe paralajmëroi se reforma të tjera ligjore priten në vijim, me fokus mbrojtjen e konsumatorit dhe rritjen e transparencës.

“Ndryshimet rregullative nuk kanë përfunduar. Do të ketë të tjera që do të kenë në qendër një ndarje të qartë mes aktivitetit të kreditimit dhe aktivitetit të menaxhimit të kredive me probleme, që të mos kemi keqpërdorim të produkteve dhe mungesë transparence”, deklaroi Ahmetaj.
Në fjalën e saj, Herjola Spahiu theksoi se mikrofinanca po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm jo vetëm në mbështetjen e sektorëve tradicionalë si bujqësia, por edhe në zgjerimin e aksesit në financë për kategori që historikisht kanë pasur më pak mundësi financimi.
“Mikrofinanca nuk është më vetëm një instrument mbështetës për sektorë si bujqësia apo biznesi i vogël. Sot ajo ka një rol të rëndësishëm në rritjen e aksesit në financë për kategori të veçanta të shoqërisë, duke ndihmuar përfshirjen financiare dhe zhvillimin ekonomik më gjithëpërfshirës”, u shpreh Spahiu.

Një nga momentet kryesore të ditës ishte edhe fjalimi i Prof. Andrés Rodríguez-Pose nga London School of Economics and Political Science, i cili foli mbi mënyrën se si financa gjithëpërfshirëse mund t’u përgjigjet pasigurive globale dhe transformimeve ekonomike. Diskutimi u pasua nga një panel me pjesëmarrjen e Kristina Maslauskaite nga Council of Europe Development Bank.
Aktivitetet e ditës së parë u mbyllën me një mbrëmje rrjetëzimi informale, ku u ndanë edhe çmimet “Borrow Wisely Award” dhe “Missing Entrepreneurs Award”.
Konferenca do të vijojë edhe në ditët në vijim me diskutime mbi digjitalizimin e shërbimeve financiare, financimin e gjelbër, ndikimin social dhe sfidat që sektori i mikrofinancës po përballet në ruajtjen e balancës mes objektivave tregtare dhe misionit social. /ekofin.al


