Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka urdhëruar ndërprerjen e aktivitetit të subjektit “SORI-AL” në dy ambiente prodhimi dhe përgatitjeje ushqimore, pas dyshimeve për helmimin e disa kursantëve pranë Akademisë së Sigurisë në Sauk dhe rezultateve jokonforme të analizave laboratorike.
Sipas njoftimit zyrtar të AKU-së, në kuadër të hetimit janë marrë nëntë mostra ushqimore, që përfshijnë lëndë të para dhe produkte të gatshme. Analizat e kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) kanë treguar se tetë prej mostrave rezultuan brenda normave, ndërsa një kampion makarona, i marrë në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë, rezultoi jokonform për praninë mbi normë të bakterit Escherichia Coli dhe Staphylococcus koagulaze pozitive.
Pas këtyre gjetjeve, AKU vendosi fillimisht pezullimin e aktivitetit në ambientet e kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, deri në përmbushjen e kërkesave ligjore për pastrim dhe dezinfektim të ambienteve dhe pajisjeve të punës.
Në vijim të hetimit dhe gjurmueshmërisë së produkteve, kontrollet u shtrinë edhe në Garnizonin “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura, ku prodhoheshin ushqimet e shpërndara. Referuar raportit epidemiologjik dhe konstatimeve të institucioneve shëndetësore për problematika higjieno-sanitare dhe rezultate jokonforme në kampionë dhe pajisje pune, AKU mori vendim për ndërprerjen e aktivitetit të subjektit “SORI-AL” edhe në këtë adresë.
Përveç masës së bllokimit të aktivitetit, ndaj subjektit është vendosur edhe një gjobë administrative në vlerën 1.5 milionë lekë për tregtim ushqimi të pasigurt dhe shkelje të kushteve higjieno-sanitare.
AKU bëri me dije se subjektit i është lënë detyrë edhe kryerja e procedurës së asgjësimit për produktet e bllokuara që kanë rezultuar jokonforme.
