Integrimi europian po e vendos industrinë e qumështit në Shqipëri përballë një transformimi të thellë, ku përmbushja e standardeve të Bashkimit Europian në sigurinë ushqimore, gjurmueshmëria, higjiena dhe cilësia e lëndës së parë është tashmë një domosdoshmëri. Megjithatë, sfida kryesore mbetet aftësia ekonomike e fermerëve dhe industrisë përpunuese për të përballuar këto kërkesa.
Në Konferencën e Parë Kombëtare të Industrisë së Qumështit u theksua qartë se përafrimi me standardet europiane kërkon investime të konsiderueshme dhe mbështetje financiare. U nënvizua se “nuk ka integrim pa standarde” dhe se pa mbështetje bankare dhe investime të mjaftueshme, sektori nuk mund të përmbushë këtë proces transformimi.
Për Ministrinë e Bujqësisë, konsolidimi i sektorit dhe rritja e standardeve mbeten prioritete strategjike. U theksua se sektori ka potencial ekonomik dhe social, por kërkon ristrukturim të shpejtë. Në këtë kuadër, procesi i kategorizimit të subjekteve, që po realizohet nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, pritet të ndihmojë në krijimin e planeve të qarta veprimi për çdo operator.
Sipas Drejtoreshës së AKU-së Blerina Gjylameti, është përfunduar faza e parë e kategorizimit për 253 subjekte dhe deri në fund të vitit do të finalizohet një panoramë e plotë e sektorit. Ky raport do të shërbejë si bazë për politika të reja mbështetëse dhe ndërhyrje të synuara.
Në të njëjtën linjë, Shoqata e Prodhuesve ka kërkuar hartimin e një plani kombëtar informues për bizneset, lidhur me pasojat që sjell mosplotësimi i standardeve europiane, duke theksuar nevojën për koordinim më të fortë mes institucioneve dhe sektorit privat.
Të dhënat tregojnë se sektori i qumështit po përballet me tkurrje të ndjeshme të bazës blegtorale. Në pesë vitet e fundit, numri i gjedhëve ka rënë me rreth 25%, ndërsa numri i lopëve është ulur me rreth 23%, duke reflektuar një reduktim të ndjeshëm të kapacitetit prodhues.
Në vitin 2024, Shqipëria prodhoi rreth 877 mijë tonë qumësht, i përqendruar kryesisht në disa qarqe kryesore, me dominim të qumështit të lopës. Megjithatë, problemi kryesor mbetet efikasiteti i ulët i prodhimit: rendimenti mesatar në Shqipëri është rreth 3,216 kg për lopë në vit, ndërsa në Bashkimin Europian arrin rreth 8,120 kg, duke treguar një diferencë prej rreth 2.5 herë.
Ky hendek lidhet me strukturën e fermave të vogla, teknologjinë e kufizuar dhe mungesën e ekonomisë së shkallës. Në Europë, prodhimi më i lartë për krerë ul kostot për njësi, ndërsa në Shqipëri prodhimi i ulët rrit koston për litër qumësht dhe ekspozon fermerët ndaj çdo luhatjeje çmimesh.
Sektori përballet gjithashtu me një sfidë demografike në rritje. Emigracioni, plakja e popullsisë dhe braktisja e zonave rurale kanë ulur ndjeshëm numrin e familjeve që merren me blegtori. Kjo ka tkurrur bazën prodhuese dhe ka rritur mungesën e fuqisë punëtore, duke e bërë më të vështirë ruajtjen e prodhimit vendas./ekofin.al




