Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, AIDA, ka hapur thirrjen për mbështetjen dhe zhvillimin e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) për vitin 2026, përmes fondit “Për zhvillimin e ndërmarrjeve”, të financuar nga buxheti i shtetit.
Thirrja synon të mbështesë rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve, standardizimin, inovacionin dhe rinovimin teknologjik, me fokus nxitjen e eksporteve dhe forcimin e kapaciteteve të ndërmarrjeve për tregje më të qëndrueshme.
Sipas njoftimit, fondi do të jetë në dispozicion për NMVM-të që ushtrojnë aktivitetin e tyre brenda territorit të Shqipërisë dhe që përmbushin kriteret e përcaktuara në ligjin nr. 43/2022 “Për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme”.
Bazuar në vendimin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore, të publikuar në Fletore Zyrtare, fondi total në dispozicion do të jetë 100 milionë lekë.
Në kuadër të Programit “Mbështetje për Zhvillimin e Biznesit”, është parashikuar “Skema 1”, e cila ofron mbështetje financiare për shpenzime korrente me vlerë deri në 2.5 milionë lekë për çdo projekt, duke mbuluar deri në 100% të kostove të pranueshme.
Ndër kostot që do të financohen përfshihen certifikimi i standardeve të prodhimit dhe shërbimit, përmirësimi i produkteve përmes etiketimit dhe ambalazhimit, trajnimet për stafin në fusha si teknologjitë digjitale, marketingu dhe sistemet logjistike, si edhe zhvillimi i aplikacioneve apo platformave të tregtisë elektronike dhe proceseve inovative të biznesit.
AIDA thekson se projekt-propozimet duhet të realizohen brenda vitit buxhetor 2026 dhe dokumentacioni financiar bashkë me raportin përfundimtar duhet të dorëzohen brenda muajit nëntor 2026.
Thirrja do të qëndrojë e hapur për 30 ditë kalendarike nga data e publikimit, deri në 9 qershor 2026, dhe aplikimet do të kryhen elektronikisht në adresën: [email protected].
Kjo skemë shihet si një mundësi për bizneset e vogla dhe të mesme që të investojnë në modernizim, dixhitalizim dhe standardizim, në një kohë kur konkurrueshmëria dhe orientimi drejt eksporteve po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për ekonominë shqiptare.
