Qeveria ka miratuar ndryshime të reja në skemën e dëmshpërblimit për ish të dënuarit politik të regjimit komunist, me synimin për të përshpejtuar pagesat dhe për të mbyllur një pjesë të madhe të dosjeve brenda 4-5 viteve të ardhshme.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Financave, Petrit Malaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ku u miratua ndryshimi i VKM-së nr. 419 që rregullon procedurat e dëmshpërblimit për ish të përndjekurit politikë.
Sipas ministrit, ndryshimi kryesor lidhet me heqjen e kufizimit që parashikonte ndarjen e dëmshpërblimit në tetë këste të barabarta. Me skemën e re, të gjitha dosjet që kanë një vlerë të mbetur deri në 1 milion lekë do të likuidohen të plota në këstin pasardhës.
Ministria e Financave parashikon që, falë këtyre ndryshimeve, rreth 6 mijë dosje nga 10,360 që janë aktualisht në proces pagese të mbyllen plotësisht brenda një periudhe 4-5 vjeçare.
Qeveria argumenton se ndryshimet do të sjellin një përshpejtim të ndjeshëm të procesit të pagesave. Aktualisht, intervali mes kësteve varion nga 3.5 deri në 4 vite, ndërsa me formulën e re ky interval pritet të reduktohet në rreth 2 deri në 2.5 vite.
Po kështu rritet edhe fondi vjetor për dëmshpërblimet. Aktualisht, fondi i akorduar për këtë kategori është rreth 1.5 miliardë lekë në vit.
Në deklaratën e tij, ministri Malaj theksoi se vendimi nuk ka vetëm efekt financiar dhe administrativ, por përfaqëson edhe një detyrim moral të shtetit ndaj familjeve të personave që janë dënuar padrejtësisht gjatë regjimit komunist.
Skema e dëmshpërblimit për ish të përndjekurit politikë vijon prej vitesh dhe është shoqëruar shpesh me vonesa në pagesa për shkak të numrit të lartë të dosjeve dhe kufizimeve buxhetore. Ndryshimet e miratuara synojnë të reduktojnë kohën e pritjes dhe të përshpejtojnë mbylljen përfundimtare të dosjeve të mbetura.
