Drafti i ri për energjinë elektrike synon ta çojë Shqipërinë më afër rregullave të Bashkimit Evropian: më shumë konkurrencë, më shumë zgjedhje për qytetarët dhe çmime që përcaktohen nga tregu. Në letër, kjo do të thotë që çdo familje apo biznes mund të zgjedhë furnizuesin e energjisë dhe të përfitojë nga ofertat më të mira.
Por krahas këtij liberalizimi, ligji përpiqet të ndërtojë edhe një mbrojtje për familjet në vështirësi ekonomike. Pikërisht këtu nis edhe debati: sa e fortë dhe sa e qëndrueshme është kjo mbrojtje?
Nga njëra anë, drafti u jep qytetarëve më shumë të drejta. Furnizuesit duhet të jenë transparentë për çmimet dhe kushtet, klientët mund të ndërrojnë furnizues pa pagesë shtesë dhe kanë të drejtë të ankohen nëse kontrata nuk respektohet. Kjo pritet të rrisë konkurrencën dhe, në teori, të sjellë oferta më të mira.
Nga ana tjetër, për familjet me të ardhura të ulëta parashikohet një trajtim i veçantë. Këta “klientë në nevojë” do të identifikohen sipas disa kritereve, si niveli i të ardhurave, mosha, pesha e shpenzimeve për energji apo kushtet e banesës. Ata do të regjistrohen në një listë të veçantë dhe do të marrin mbështetje financiare nga shteti për të paguar faturat.
“Për qëllimin e përcaktimit të numrit të klientëve familjarë në varfëri energjetike, Ministria përgjegjëse për çështjet sociale, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për energjinë, ministrinë e Financave, si dhe në konsultim me ERE-n dhe palët e interesuara, harton një tërësi kriteresh, që mund të përfshijnë të ardhurat e ulëta, shpenzimet e larta të të ardhurave të disponueshme për energji dhe efiçiencë të dobët energjetike, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave,” shkruhet në draft.
Megjithatë, klienti në nevojë, nuk mund të jetë në nevojë përjetësisht. Dispozita parashikon se nëse për shkak të ndryshimit të rrethanave, klienti humb statusin e klientit në nevojë, struktura përkatëse pranë ministrisë përgjegjëse për mirëqenien sociale e heq nga regjistri i klientëve në nevojë dhe njofton Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes dhe furnizuesin. Të dhënat e klientit të hequr nga regjistri i klientëve në nevojë duhet të ruhen për një periudhë prej 5 vjetësh pas çregjistrimit.
Mënyra si është shkruar kjo pjesë e projektligjit, lë disa paqartësi. Për shembull, nuk është plotësisht e qartë nëse kriteret që përdoren për të matur varfërinë energjetike në nivel vendi janë të njëjtat që do të përdoren për të përzgjedhur familjet përfituese. Po ashtu, thuhet që klientët që marrim mbështetje financiare nga shteti duhet të përdorin për pagesën e energjisë, por nuk sqarohet si do të kontrollohet kjo në praktikë.
Një aspekt i rëndësishëm lidhet me çmimin e energjisë për këto familje. Drafti parashikon që ato të furnizohen me tarifa të rregulluara, të miratuara nga Enti Rregullator i Energjisë. Por këto tarifa nuk janë të fiksuara. Ato do të rishikohen çdo vit, duhet të reflektojnë kostot reale të energjisë dhe janë të përkohshme, jo të përhershme.
Kjo do të thotë që edhe për familjet në nevojë, çmimi mund të ndryshojë nga viti në vit.
Në mungesë të fondeve të mjaftueshme, familjet në nevojë mund të përballen sërish me rritje të faturave.
Parashikimi ligjor të çon në një skemë të përkohshme, ku qëllimi final është kalimi drejt një tregu plotësisht të lirë, ku çmimet përcaktohen nga konkurrenca. Edhe familjet që përfitojnë tarifa të rregulluara do të inkurajohen të kalojnë gradualisht në ofertat e tregut.
Në këtë kuptim, sistemi nuk garanton një çmim të ulët afatgjatë për energjinë, por një mbështetje të kufizuar dhe të kushtëzuar.
Sfida reale nuk është vetëm krijimi i një tregu më konkurrues, por sigurimi që askush të mos mbetet pa mundësi për të paguar energjinë. Dhe për këtë, ligji duhet të jetë jo vetëm në përputhje me BE-në, por edhe i përshtatur me realitetin ekonomik të vendit. /ekofin.al
