Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme indeksimin e bazës së vlerësuar për llogaritjen e pensioneve me një koeficient prej 6.4% për vitin 2024, vendim që do të ndikojë drejtpërdrejt në pensionet e reja që do të caktohen duke nisur nga 1 janari 2026.
Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton se ky indeks do të aplikohet mbi bazën individuale vjetore të krijuar nga kontributet e paguara dhe rivlerësimet përkatëse deri në vitin 2024. Në praktikë, kjo do të thotë se për qytetarët që do të dalin në pension pas datës 1 janar 2026, përllogaritja fillestare mujore do të reflektojë këtë rritje prej 6.4%.
Dokumenti parashikon gjithashtu kufij maksimalë për bazën e vlerësuar që përdoret në llogaritje. Për periudhën 1994–2001, ajo nuk mund të kalojë trefishin e pagës minimale në shkallë vendi, ndërsa për periudhën nga viti 2002 e në vijim, kufiri lidhet me pagën maksimale të përcaktuar sipas ligjit për sigurimet shoqërore.
Sipas vendimit, efektet financiare të këtij ndryshimi do të zbatohen vetëm për pensionet që lindin si e drejtë nga fillimi i vitit 2026 dhe do të përballohen brenda buxhetit të miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore, i cili është ngarkuar edhe me zbatimin e tij.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa ndikimi financiar për përfituesit nis nga 1 janari 2026.
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KOEFICIENTIT TË INDEKSIMIT TË BAZËS SË VLERËSUAR TË VITIT 2024 PËR LLOGARITJEN E PENSIONEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të paragrafit të dytë, të nenit 10, dhe të pikave 1 e 3, të nenit 59, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2024, me koeficient indeksi 6.4 %, të llogaritur sipas kritereve të përcaktuara në nenin nr.59, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
2. Indeksi i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, aplikohet për llogaritjen e bazës së vlerësuar individuale vjetore, të arritur nëpërmjet kontributeve të paguara dhe rivlerësimeve të tyre, të kryera deri në vitin 2024, dhe zbatohet për efekt të llogaritjes së masës fillestare mujore të pensioneve, me datë lindjeje të së drejtës, nga data 1.1.2026 e në vazhdim.
3. Indekset akumulative të bazës së vlerësuar, të arritura nëpërmjet pagave të periudhës 1994-2024, referuar kontributeve të paguara sipas muajve në këtë periudhë dhe pagave referuese sipas punëve dhe profesioneve, të përcaktuara me vendimin nr.561, datë 12.8.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”, të ndryshuar, sipas viteve, janë sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Pas aplikimit të indeksit të vitit 2024, baza e vlerësuar për efekt të llogaritjes së masës fillestare mujore të pensioneve, që do të caktohen me datë lindjeje të së drejtës, nga data 1.1.2026, nuk mund të jetë më e lartë se:
a) trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për pagat e periudhës, nga viti 1994 deri në 31.12.2001;
b) paga maksimale në shkallë vendi, e përcaktuar sipas kritereve të nenit 10, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për pagat e periudhës, nga viti 2002 e në vazhdim.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, lidhen me zbatimin e formulës së caktimit të pensioneve dhe aplikohen vetëm për pensionet që caktohen me datë lindjeje të së drejtës, nga data 1.1.2026 e në vazhdim, dhe përballohen brenda buxhetit vjetor, të miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore.
6. Ngarkohet Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.1.2026.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA