Meta do të nisë instalimin e një softueri të ri gjurmues në kompjuterët e punonjësve të saj në SHBA, i cili do të regjistrojë lëvizjet e mausit, klikimet dhe shtypjet në tastierë për t’u përdorur në trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale. Ky hap është pjesë e një nisme më të gjerë për ndërtimin e agjentëve të AI që mund të kryejnë detyra pune në mënyrë autonome, sipas memorandumeve të brendshme të parë nga Reuters.
Mjeti, i quajtur Model Capability Initiative (MCI), do të funksionojë në aplikacionet dhe faqet e lidhura me punën dhe do të marrë gjithashtu herë pas here pamje (screenshots) të përmbajtjes në ekranet e punonjësve, sipas një prej memorandumeve, i publikuar nga një shkencëtar i AI në një kanal të ekipit Meta SuperIntelligence Labs.
Qëllimi, sipas memorandumit, është përmirësimi i modeleve të AI në fusha ku ato kanë vështirësi të imitojnë ndërveprimin e njerëzve me kompjuterin, si përzgjedhja nga menutë “dropdown” apo përdorimi i shkurtoreve të tastierës.
“Kjo është një mënyrë ku të gjithë punonjësit e Meta mund të ndihmojnë që modelet tona të bëhen më të mira thjesht duke kryer punën e tyre të përditshme,” thuhet në dokument.
Kompania që zotëron Facebook dhe Instagram po lëviz agresivisht për të integruar inteligjencën artificiale në proceset e saj të punës dhe për të riformatuar fuqinë punëtore rreth kësaj teknologjie, duke argumentuar se kjo do ta bëjë më efikase.
Drejtori i teknologjisë në Meta, Andrew Bosworth, u tha punonjësve në një memorandum tjetër se kompania do të rrisë mbledhjen e të dhënave të brendshme si pjesë e iniciativës “AI for Work”, tashmë e riemërtuar si Agent Transformation Accelerator (ATA).
“Vizionin që po ndërtojmë është një ku agjentët kryesisht bëjnë punën, ndërsa roli ynë është t’i drejtojmë, t’i rishikojmë dhe t’i ndihmojmë të përmirësohen,” tha Bosworth. Qëllimi është që këta agjentë “të kuptojnë automatikisht kur kemi ndjerë nevojën të ndërhyjmë, në mënyrë që të përmirësohen herën tjetër.”
Edhe pse Bosworth nuk dha detaje të plota mbi mënyrën e trajnimit, ai theksoi se Meta do të jetë “rigoroze” në ndërtimin e bazës së të dhënave dhe vlerësimeve për të gjitha ndërveprimet që ndodhin gjatë punës.
Zëdhënësi i Meta, Andy Stone, konfirmoi se të dhënat e mbledhura nga MCI do të përdoren për këtë qëllim, por nuk do të shërbejnë për vlerësimin e performancës së punonjësve apo qëllime të tjera. Ai shtoi se janë vendosur masa mbrojtëse për përmbajtje të ndjeshme, pa specifikuar se cilat të dhëna përjashtohen.
“Nëse po ndërtojmë agjentë që ndihmojnë njerëzit të kryejnë detyra të përditshme në kompjuter, modelet tona kanë nevojë për shembuj realë se si njerëzit i përdorin ato – si lëvizjet e mausit, klikimet dhe navigimi në menu,” tha Stone.
Ky zhvillim pasqyron një trend më të gjerë në kompanitë e mëdha amerikane, veçanërisht në sektorin e teknologjisë, për automatizimin e funksioneve që më parë kryheshin nga punonjësit.
Mjetet e AI po tërheqin gjithnjë e më shumë interes në Silicon Valley për aftësinë e tyre për të kryer detyra komplekse si krijimi i aplikacioneve dhe menaxhimi i volumeve të mëdha të të dhënave me pak mbikëqyrje njerëzore, duke nxitur edhe plane për reduktime të ndjeshme të vendeve të punës.
Meta planifikon të reduktojë rreth 10% të fuqisë së saj punëtore globale duke filluar nga 20 maji dhe po shqyrton shkurtime të tjera të mëdha më vonë gjatë këtij viti./Përshtati nga Reuters, ekofin.al
