Gjatë vitit 2025, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka qenë ndër autoritet kontraktore me numrin më të madh të procedurave të ankimuara.
Komisioni i Prokurimit Publik ka marrë në total 38 vendime për operatorët ekonomikë, struktura e të cilave tregon një dominim të qartë të kontratave për shërbime, ndërkohë që një pjesë shumë më e vogël lidhet me mallra. Nga totali, 25 vendime janë pranuar plotësisht ose pjesërisht, 7 janë refuzuar, ndërsa pjesa tjetër lidhet me mbyllje çështjeje apo përfundim të procedimit administrativ.
Pesha financiare e vendimeve të favorshme për operatorët ekonomikë rezulton veçanërisht e lartë. Vetëm kontratat e pranuara dhe pjesërisht të pranuara arrijnë një fond total limit prej rreth 6.4 miliardë lekësh.
Në këtë grup përfshihen disa nga tenderat më të mëdhenj të vitit, si kontrata me vlerë mbi 1.3 miliardë lekë, si dhe disa procedura të tjera në intervalin 600–770 milionë lekë.
Për vendimet e mospranimit, gjatë vitit 2025 AKSHI ka 8 procedura të refuzuara, me një fond total limit rreth 2.01 miliardë lekë. Ndërkohë, për rastet ku është vendosur përfundimi i procedimit administrativ, rezultojnë 4 vendime, me një fond total prej rreth 882 milionë lekësh. Këto lidhen kryesisht me kontrata shërbimesh dhe përfaqësojnë situata ku ankesa nuk ka vijuar deri në një vendimmarrje klasike pranim/mospranim, por është mbyllur në fazë procedurale.
Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2025, AKSHI jo vetëm ka pasur një volum të lartë procedurash të ankimuara, por edhe një peshë të konsiderueshme financiare të kontratave në shqyrtim./ekofin.al

