Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi sot se sektori energjetik shqiptar ka hyrë në një fazë të re, e cila karakterizohet jo vetëm nga potenciali i lartë por edhe nga pjekuria, besueshmëria dhe rezistenca e sistemit energjetik.
Në fjalën e tij gjatë edicionit të dytë të MatchMaker Albania 2026, platformë biznesi që bashkon investitorë, kompani dhe institucione vendase e ndërkombëtare, me mbi 1,000 pjesëmarrës dhe më shumë se 400 takime të planifikuara, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Karakaçi theksoi se Shqipëria qëndron sot si një destinacion i përshtatshëm për investime të qëndrueshme dhe fitimprurëse.
“Investimet huaja kanë kaluar mbi 60 miliardë euro, dhe sektori energjetik është kontribuesi kryesor. Kjo shifër nuk është vetëm statistike, por një shenjë e qartë e besimit ndërkombëtar në stabilitetin, reformat dhe vizionin tonë afatgjatë”, tha Karakaçi.
Ai nënvizoi se ky përparim ka ardhur si rezultat i harmonizimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, avancimit të liberalizimit të tregut, shkëputjes së operatorëve dhe forcimit të integrimit rajonal.
Sipas ministrit, Shqipëria ka sot një bursë energjetike funksionale, ALPEX, dhe pjesëmarrja e vendit në tregjet rajonale është një hap konkret drejt një sistemi më konkurrues dhe transparent.
Po ashtu, tha ai, zhvillimi i energjisë së ripërtëritshme është përshpejtuar përmes ankandeve konkurruese, duke diversifikuar kombinimin energjetik dhe duke rritur pjesëmarrjen e energjisë diellore, që ul varësinë nga burimet hidrike dhe rrit rezistencën e sistemit.
“Ndërkohë, sot kemi një përqindje shumë të madhe nga energjia diellore, e cila rrit pjesëmarrjen e energjisë së ripërtëritshme, duke ulur varësinë nga burimet hidrike dhe duke rritur rezistencën e sistemit tonë. Në veri ka një projekt shumë të përparuar edhe për energjinë e erës, një nga më të mëdhenjtë në Europë. Janë dislokuar edhe panelet pluskuese diellore, duke rritur ndërlidhshmërinë. Këto po përmirësojnë fleksibilitetin e sistemeve dhe po mundësojnë një integrim më të lartë të burimeve të ripërtëritshme”, tha ministri.
Ne synojmë, vijoi ai, që deri në 2030-ën Shqipëria të jetë eksportuese neto e energjisë elektrike.
