Viti 2025 rezulton një nga vitet më dinamike për sipërmarrjen në Shqipëri, ku të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë një rritje të qëndrueshme të regjistrimeve të reja dhe një prani gjithnjë e më të fortë të kapitalit të huaj në strukturën e bizneseve aktive.
Sipas analizës për periudhën 2020–2025, numri i bizneseve të regjistruara arriti në 20,765 në vitin 2025, niveli më i lartë në pesë vitet e fundit. Krahasuar me vitin 2020, kjo përfaqëson një rritje prej rreth 32.7%, duke konfirmuar një trend zgjerimi të bazës sipërmarrëse në vend. Ky zhvillim lidhet drejtpërdrejt me lehtësimin e procedurave, digjitalizimin e shërbimeve dhe rritjen e interesit për aktivitete ekonomike, veçanërisht në sektorë me kthim të shpejtë.
Një tjetër tregues domethënës lidhet me strukturën e bizneseve me kapital të huaj. Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e subjekteve me ortakë të huaj janë shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (sh.p.k.), me mbi 12,800 subjekte aktive, duke reflektuar preferencën për këtë formë ligjore për shkak të fleksibilitetit dhe riskut të kufizuar. Ndërkohë, personat fizikë përfaqësojnë rreth 4,300 subjekte, ndërsa format e tjera ligjore kanë peshë më të vogël.
Në aspektin gjeografik, investitorët nga vendet fqinje mbeten një faktor kyç në strukturën e biznesit në Shqipëri. Italia kryeson dukshëm me 6,358 biznese aktive me kapital të përbashkët, e ndjekur nga Kosova me 1,609 subjekte. Greqia renditet e treta me 786 biznese, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë përkatësisht 492 dhe 75 subjekte. Këto shifra tregojnë një lidhje të fortë ekonomike rajonale, ku afërsia gjeografike dhe lidhjet historike vazhdojnë të ndikojnë në vendimmarrjen e investitorëve.
Në të njëjtën kohë, struktura e aplikimeve në QKB konfirmon dominimin e Regjistrit Tregtar, i cili përbën rreth 89.2% të totalit të aplikimeve gjatë vitit 2025, ndërsa Regjistri i Pronarëve Përfitues zë rreth 8% dhe ai i licencave e lejeve vetëm 2.8%. Ky raport tregon se aktiviteti kryesor mbetet regjistrimi dhe administrimi i bizneseve, ndërsa proceset e licencimit kanë një peshë më të kufizuar.
Gjithashtu, sipas të dhënave, vihet re tendencë në ulje të çregjistrimeve të bizneseve në vitet e fundit, çka sugjeron një stabilizim relativ të tregut dhe një jetëgjatësi më të madhe të subjekteve ekonomike. Kjo mund të lidhet me përmirësimin e klimës së biznesit dhe me mbështetjen institucionale për sipërmarrjen. /ekofin.al
