Kosova ka shënuar një tjetër vit rekord në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, duke kaluar për herë të parë pragun e 1 miliard eurove gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave zyrtare, të përpunuara nga Instituti GAP, fluksi i investimeve ka arritur në rreth 1 miliard euro, duke konfirmuar një trend të fortë rritës krahasuar me vitet e mëparshme.
Ecuria ndër vite tregon një rritje të qëndrueshme të investimeve, nga rreth 308 milionë euro në vitin 2015, në mbi 840 milionë euro në vitin 2023 dhe rreth 793 milionë euro në 2024, për të kulmuar në nivelin më të lartë historik në vitin 2025. Ky zhvillim lidhet si me rritjen e interesit të investitorëve të huaj, ashtu edhe me zgjerimin e sektorëve që po tërheqin kapital ndërkombëtar.
Në aspektin gjeografik, investimet dominohen nga vendet evropiane, me Gjermaninë dhe Zvicrën në krye. Vetëm këto dy vende përbëjnë rreth 48% të totalit të investimeve të huaja në Kosovë gjatë vitit 2025. Gjermania renditet e para me 268.7 milionë euro, e ndjekur nga Zvicra me 223.9 milionë euro. Shqipëria mban vendin e tretë me 103.6 milionë euro investime, duke konfirmuar lidhjet e forta ekonomike mes dy vendeve. Në listën e pesë vendeve kryesore përfshihen gjithashtu SHBA me 92.5 milionë euro dhe Austria me 59.8 milionë euro.
Struktura sektoriale e investimeve tregon një përqendrim të lartë në pasuritë e paluajtshme, që vijojnë të mbeten destinacioni kryesor për kapitalin e huaj. Rreth 770 milionë euro, ose 75% e totalit të investimeve, janë orientuar drejt këtij sektori, duke reflektuar kërkesën e lartë për zhvillime rezidenciale dhe komerciale.
Në vend të dytë renditet sektori financiar dhe i sigurimeve me 124.8 milionë euro, ose 12% të totalit, ndërsa sektorë të tjerë si tregtia me shumicë dhe pakicë, informacioni dhe komunikimi, si dhe energjia, mbeten në nivele dukshëm më të ulëta, me pjesëmarrje nga 2% deri në 3%.
Këto të dhëna tregojnë qartë se, megjithëse Kosova po arrin tërheqje të lartë investimesh, struktura e tyre mbetet e përqendruar dhe e varur kryesisht nga pasuritë e paluajtshme. Sfida kryesore për ekonominë mbetet diversifikimi i investimeve drejt sektorëve produktivë, që gjenerojnë vlerë të shtuar dhe punësim afatgjatë.
Në të njëjtën kohë, rritja e investimeve nga Shqipëria në Kosovë konfirmon intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, duke e pozicionuar tregun kosovar si një hapësirë gjithnjë e më të rëndësishme për kapitalin shqiptar. /ekofin.al

