Në Tiranë është zhvilluar ceremonia e nënshkrimit të dy marrëveshjeve strategjike mes institucioneve financiare shqiptare dhe gjermane, një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe afrimit të mëtejshëm të sektorit bankar shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.
Ngjarja u organizua nën përkujdesjen e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë nga sistemi bankar dhe institucionet financiare të të dy vendeve.
Në qendër të ceremonisë ishte nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe DSIK Albania, një partneritet që synon të forcojë kapacitetet e sektorit bankar në përmbushjen e kërkesave rregullatore dhe mbikëqyrëse.
Ky bashkëpunim pritet të shërbejë si një platformë e re për rritjen e përputhshmërisë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, mbështetjen e bankave në përmbushjen e kërkesave të Bankës së Shqipërisë, zhvillimin e programeve të edukimit financiar, si dhe ofrimin e trajnimeve dhe shërbimeve të konsulencës për institucionet financiare.
Presidenti i AAB, Bledar Shella, theksoi se ky bashkëpunim përfaqëson një instrument të ri në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve dhe forcimit të kapaciteteve të sektorit, veçanërisht në kontekstin e përafrimit të vazhdueshëm të legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së.
Ceremonia u shoqërua me fjalime nga figura kyçe të sektorit financiar dhe diplomatik, përfshirë Ambasadorin e Gjermanisë në Shqipëri Karl Bergner, Drejtorin Menaxhues të DSIK Niclaus Bergmann, CEO-n e Sparkasse Märkisches Sauerland Hemer-Menden Dietmar Tacke, si dhe Drejtorin e Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë Deniz Deralla.
Nisma realizohet në kuadër të projektit rajonal të Sparkassenstiftung, “Just Transition: Transformimi i Qëndrueshëm i Sektorit Financiar në Shqipëri”, i cili synon ndërtimin e një sistemi financiar më gjithëpërfshirës, më rezistent dhe më të orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm.
Në një kohë kur sektori bankar shqiptar përballet me sfida të reja që lidhen me integrimin evropian, digjitalizimin dhe menaxhimin e riskut, ky bashkëpunim konsiderohet një hap konkret për të rritur standardet, për të përmirësuar kapacitetet institucionale dhe për të forcuar besimin në sistemin financiar. /ekofin.al

