Thellimi i krizës së karburanteve në tregjet ndërkombëtare, i nxitur nga zhvillimet gjeopolitike në Gjirin Persik, po reflektohet me intensitet edhe në ekonominë shqiptare. Në këtë kontekst, Konfindustria ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria përmes një pakete fiskale lehtësuese, me qëllim zbutjen e ndikimit të rritjes së çmimeve mbi qytetarët dhe bizneset.
Sipas Konfindustrisë, rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve, që tashmë kanë arritur në 200 lekë/litër dhe pritet të vijojnë në rritje, përbën një rrezik serioz për stabilitetin ekonomik të vendit. Organizata paralajmëron se, në mungesë të masave të shpejta, situata mund të përshkallëzohet në një krizë ekonomike me pasoja të gjera për industrinë, konsumin dhe mirëqenien sociale.
Në këtë kuadër, Konfindustria propozon një paketë të parë fiskale antikrizë të ndërtuar mbi dy shtylla kryesore. Së pari, ajo kërkon që të gjitha të ardhurat shtesë që buxheti i shtetit përfiton nga rritja e TVSH-së mbi çmimet e karburanteve, krahasuar me periudhën para krizës, të rikthehen drejtpërdrejt tek qytetarët dhe bizneset përmes uljes së çmimit final. Ky mekanizëm synon të neutralizojë efektin fiskal të rritjes së çmimeve, duke shmangur përfitimin disproporcional të buxhetit në kurriz të konsumatorëve.
Së dyti, Konfindustria propozon uljen e taksës së qarkullimit të automjeteve në një masë të barabartë me rritjen e të ardhurave nga TVSH-ja e karburanteve. Kjo masë do të kontribuonte në zbutjen e barrës fiskale mbi përdoruesit e mjeteve dhe sektorët ekonomikë që varen drejtpërdrejt nga kostot e transportit.
Një element i tretë, që sipas Konfindustrisë është i domosdoshëm për funksionimin efektiv të paketës, është ndërtimi i një mekanizmi institucional për përcaktimin e një çmimi tavan për shitjen me pakicë të karburanteve. Qëllimi i kësaj mase është të sigurojë që çdo lehtësim fiskal të reflektohet realisht në çmimin final për konsumatorin dhe të mos përkthehet në rritje të fitimeve për operatorët në një treg që karakterizohet nga përqendrim i lartë.
Konfindustria thekson se Shqipëria vijon të ketë ndër çmimet më të larta të karburanteve në rajon, ndërkohë që çdo rritje e mëtejshme rrezikon të përkeqësojë presionet inflacioniste dhe të dëmtojë konkurrueshmërinë e ekonomisë. Sipas saj, ndikimi i kostove të energjisë është transversal dhe transmetohet në të gjithë sektorët, duke rritur çmimet e mallrave dhe shërbimeve. /ekofin.al
