Mark Zuckerberg, drejtuesi i Meta Platforms, kompania pronare e Instagramit, u paraqit në një gjykatë në Kaliforni duke mbrojtur drejtimin e tij të kompanisë në një çështje historike ligjore mbi nëse rrjetet sociale krijojnë varësi tek fëmijët.
Kjo është paraqitja e parë e Zuckerberg para një jurie, pas viteve reagimesh kritike ndaj Meta-s, e cila zotëron gjithashtu WhatsApp dhe Facebook, që ai e bashkëthemeloi.
Avokatët e Meta-s kanë argumentuar se paditësja kryesore në këtë rast, e njohur me inicialet K.G.M., është dëmtuar nga faktorë të tjerë në jetën e saj dhe jo nga përdorimi i Instagramit.
Gjyqi, ku edhe YouTube i Google është i paditur, po ndiqet nga afër për pasojat që mund të ketë mbi mijëra procese të ngjashme me të cilat përballen kompanitë e rrjeteve sociale.
TikTok dhe Snapchat, të cilat gjithashtu ishin përfshirë në padi, arritën marrëveshje pak para se gjyqi të niste. Kushtet e këtyre marrëveshjeve nuk u bënë publike.
Avokatët e K.G.M., ose Kaley, e cila nisi të përdorte Instagram dhe YouTube që në fëmijëri, kanë akuzuar kompanitë e rrjeteve sociale se kanë punuar për të krijuar varësi tek përdoruesit e rinj, pavarësisht se ishin në dijeni të rreziqeve për shëndetin mendor.
Ajo ishte e pranishme në seancën e së mërkurës, e ulur përballë Zuckerberg, i cili mbërriti në gjykatë i shoqëruar nga një ekip sigurie dhe bashkëpunëtorësh.
Mes të pranishmëve në sallë ishin edhe prindër që kishin humbur fëmijët e tyre, të cilët ndoqën procesin.
Mark Lanier, avokati që përfaqëson K.G.M., e vuri në vështirësi Zuckerberg me pyetje mbi përpjekjet e tij për të bërë që përdoruesit të kalonin më shumë kohë në platformat e kompanisë, duke e përballur me email-e që ai vetë kishte shkruar.
Në vitin 2015, për shembull, Zuckerberg u kishte thënë drejtuesve të kompanisë se objektivat për atë vit përfshinin që “koha e kaluar në platformë të rritej me 12%” dhe që “trendi i përdorimit nga adoleshentët të përmbysej”.
Një vit më parë, ai e kishte cilësuar kohën e kaluar në platformë si treguesin “më shqetësues” që kompania po monitoronte.
Duke treguar drejt klientes së tij, Lanier theksoi se këto email-e ishin shkruar kur ajo ishte vetëm nëntë ose dhjetë vjeç dhe tashmë përdorte Instagramin.
Zuckerberg pranoi se “në një fazë më të hershme të kompanisë” ai u vendoste drejtuesve objektiva për të rritur kohën e përdorimit, por këmbënguli se kjo nuk është më mënyra si funksionon kompania sot.
Ai shtoi gjithashtu se nëse diçka ka vlerë, “njerëzit priren ta përdorin më shumë”.
Lanier kundërshtoi duke thënë se edhe njerëzit që janë të varur nga diçka priren të rrisin përdorimin e saj.
“Nuk di çfarë të them për këtë,” u përgjigj Zuckerberg. “Mendoj se mund të jetë e vërtetë, por nuk e di nëse vlen për këtë rast.”
Në dëshminë e javës së kaluar, Adam Mosseri, drejtuesi i Instagramit, kundërshtoi idenë e varësisë nga rrjetet sociale, duke argumentuar se edhe përdorimi i Instagramit për 16 orë në një ditë të vetme nuk tregon domosdoshmërisht varësi.
Gjyqi pritet të zgjasë disa javë dhe do të përfshijë edhe dëshmi nga ish-punonjës të Meta-s, të cilët më pas kanë folur publikisht për praktikat e kompanisë.
Shefi i YouTube, Neal Mohan, pritej gjithashtu të dëshmonte, por BBC ka mësuar se ai nuk do të thirret më si dëshmitar.
Ky është një nga mijëra procese të ngjashme të ngritura nga familje, prokurorë shtetërorë dhe distrikte shkollore që po shqyrtohen aktualisht në gjykatat amerikane.
Paditë akuzojnë Meta-n dhe platforma të tjera si TikTok, Snapchat dhe YouTube se funksionojnë në mënyrë që krijon varësi dhe që përfundimisht ka dëmtuar shumë fëmijë.
Në një rast tjetër, 29 prokurorë të përgjithshëm të shteteve amerikane po kërkojnë nga një gjykatë federale në Kaliforni që të detyrojë platformat të bëjnë ndryshime të menjëhershme, përfshirë detyrimin e Meta-s për të hequr të gjitha llogaritë që u përkasin përdoruesve nën moshën 13 vjeç.
Një numër në rritje vendesh po ndërmarrin hapa për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale nga të rinjtë. Australia në fund të vitit të kaluar vendosi ndalimin e llogarive në rrjetet sociale për personat nën 16 vjeç.
Edhe Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Franca dhe Spanja po shqyrtojnë masa të ngjashme./Përshtati nga BBC, ekofin.al
