Gjigantët amerikanë të teknologjisë po intensifikojnë garën globale për inteligjencën artificiale, duke planifikuar investime rekord prej mbi 700 miliardë dollarësh këtë vit vetëm për infrastrukturën e AI, një shifër që tejkalon prodhimin e brendshëm bruto të vendeve të mëdha europiane si Suedia. Analistët paralajmërojnë se kjo valë investimesh, e udhëhequr nga kompani si Amazon, Google, Microsoft dhe Meta, mund të thellojë varësinë teknologjike të Evropës nga SHBA.
Amazon kryeson me rreth 200 miliardë dollarë investime, e ndjekur nga Alphabet me 185 miliardë, Microsoft me 145 miliardë dhe Meta me 135 miliardë dollarë. Ndërkohë, kompanitë e Elon Musk dhe Oracle po zgjerojnë agresivisht ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe superkompjuterëve, ndërsa Nvidia pritet të jetë përfituesi kryesor përmes shitjes së çipeve të avancuara.
Në kontrast, Europa mbetet shumë prapa. Investimet e planifikuara në infrastrukturën sovrane të cloud-it pritet të arrijnë vetëm 10.6 miliardë euro në vitin 2026, një shumë shumë më e vogël krahasuar me shpenzimet amerikane. Ekspertët paralajmërojnë se kjo diferencë financiare rrezikon sovranitetin e të dhënave europiane, pasi edhe zgjidhjet e ofruara nga kompanitë amerikane në Evropë mbeten të varura nga kompanitë mëmë në SHBA.
Megjithatë, disa përpjekje europiane po shfaqen, si kompania franceze Mistral AI, e cila po investon miliarda euro për të ndërtuar qendra të të dhënave në Evropë dhe për të siguruar “compute sovran” në përputhje me standardet europiane.
Ndërkohë, analistët paralajmërojnë se investimet masive në AI mbartin edhe rreziqe financiare, pasi shumë prej tyre financohen me borxhe dhe fitimet nuk janë ende në nivelin e shpenzimeve. Pavarësisht kësaj, gara për dominimin e inteligjencës artificiale është intensifikuar, duke vendosur SHBA-në në avantazh të qartë, ndërsa Europa përballet me sfidën për të ruajtur pavarësinë e saj teknologjike në një botë gjithnjë e më të dominuar nga teknologjia amerikane./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
