Këshilli i Ministrave ka rihapur zyrtarisht aplikimin për një vend vakant në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që dy emra tashmë janë propozuar për t’u votuar në Kuvend: Ervin Mete dhe Jonida Prifti.
Njoftimi për aplikim përcakton se Këshilli Mbikëqyrës i Banka e Shqipërisë është organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës i institucionit, përgjegjës për hartimin e politikës monetare dhe miratimin e udhëzimeve për zbatimin e saj, si edhe për përcaktimin e politikave të administrimit dhe procedurave operative të bankës qendrore.
Sipas ligjit nr. 8269/1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, tre nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë. Pas propozimit të dy kandidatëve, qeveria ka vendosur të rihapë garën për vendin e tretë, duke inkurajuar aplikimet nga persona që plotësojnë kriteret ligjore.
Burime për Ekofin.al bëjnë me dije se rihapja e aplikimit synon t’i japë mundësi një emri me profil ndërkombëtar të aplikojë për këtë funksion, gjë që nuk ndodhi në fazën e parë të hapjes së aplikimeve në fund të muajit nëntor. Sipas të njëjtave burime, bëhet fjalë për një figurë me eksperiencë të jashtë vendit, në institucione ndërkombëtare.
Ndërkohë, dy propozimet e Këshillit të Ministrave, bashkë me tre kandidaturat e tjera të propozuara nga Kuvendi, do të kalojnë për votim në seancën plenare të së enjtes, duke plotësuar kështu pesë vende në organin më të rëndësishëm vendimmarrës të bankës qendrore.
Kriteret për aplikantët janë të qarta: arsim i lartë ekonomik ose juridik, përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare, kualifikime përkatëse, si dhe mbi 5 vite eksperiencë në administratën publike ose në institucione financiare e bankare. Po ashtu, kërkohet integritet i plotë ligjor dhe mosangazhim aktiv në veprimtari politike gjatë ushtrimit të detyrës.
Funksioni i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës është i papajtueshëm me detyra të larta politike, si President i Republikës, deputet apo anëtar i Këshillit të Ministrave, si dhe me pozicione drejtuese apo aksionare me ndikim në banka të nivelit të dytë apo subjekte të licencuara nga Banka e Shqipërisë.
Afati për dorëzimin e aplikimeve është përcaktuar deri më 11 mars 2026.
Rihapja e garës vjen në një moment të rëndësishëm për institucionin, në kushtet kur Banka e Shqipërisë po përballet me sfida të reja që lidhen me stabilitetin financiar, politikën monetare në një mjedis me inflacion të moderuar, si dhe me procesin e thellimit të integrimit financiar dhe rritjes së standardeve të mbikëqyrjes. Përbërja e re e Këshillit Mbikëqyrës pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në drejtimin strategjik të bankës qendrore në vitet në vijim.
